Pas ftesës publike të kandidatit të VLEN-it, Izet Mexhiti, që të përballet me të në debat, ka reaguar kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Bujar Osmani, duke thënë se Mexhiti pesë herë ka refuzuar përballjen dhe se ftesa e tij e fundit është “manovër për të mbuluar frikën e mëhershme” përcjell INA.
Osmani theksoi se Mexhiti vetëm pas deklaratave të tij publike “u frikësua nga reagimi i qytetarëve” dhe doli me një ftesë të vonuar televizive, ndërsa në të vërtetë e dinte se debatet tashmë janë caktuar.
“Kundërshtari im pesë herë refuzoi të dalë në debat. Pesë herë iku nga përballja me mua. Vetëm pasi dola publikisht dhe thashë se ai po i ik qytetarëve, u frikësua nga reagimi dhe doli me një ftesë të vonuar në një televizion,” tha Osmani.
Ai sqaroi se ka konfirmuar dy debate për ditët në vijim – një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën maqedonase – dhe se të dy janë planifikuar me kohë, prandaj çdo pretendim ndryshe është “përpjekje për të krijuar konfuzion”.
“Ai po përpiqet të keqpërdorë emrin e një televizioni si justifikim që të mos paraqitet në dy debatet që i presin. Kush ka guxim, del përballë. Kush ka frikë, fshihet pas kamerave dhe manipulimeve,” shtoi Osmani./INA/