Brazili, vendi i kafesë, sambës dhe futbollit, mund të pretendojë një tjetër përparësi, pasi ka fatin dhe privilegjin të “përqafojë” një depozitë të madhe ari në tokën e tij, gjë që mund ta transformojë atë përsëri në një superfuqi globale.
Në shtetin e Pará-s, dhe konkretisht në rajonin Serra Pelanta, ritmi i operacioneve minerare në minierën e arit të rajonit është i ethshëm. “Jemi tre metra larg arit”, thotë me entuziazëm pronari 77-vjeçar i minierës, Chico Osorio. Duke përdorur patericat e tij dhe ndihmën e një kabine të vogël, ai arriti të zbriste në një gropë 150 metra të thellë për të shqyrtuar me sytë e tij progresin e kërkimit të arit dhe, siç pretendon ai, “disa nga muret mund të përmbajnë ar”.
Brazili ka të gjitha kushtet për t’u bërë një fuqi globale
Në vitin 1992, qeveria braziliane e mbylli minierën për arsye sigurie, pasi minierat ishin në rënie. Megjithatë, deri atëherë, Osorio kishte arritur të siguronte pothuajse 700 kilogramë ar, një pjesë të të cilit e depozitoi në bankë, ndërsa pjesën tjetër e përdori për të blerë disa aeroplanë të vegjël.
«Pjesa më e vështirë është të arrish te ari. Pas kësaj, nuk ka mungesë parash dhe pajisjesh… » tha Chico Osorio. Një problem tjetër i madh është se kooperativa tashmë ka një borxh prej rreth 10 milionë dollarësh, sipas informacionit nga avokatët përgjegjës për çështjen.
“Dëshira ime është që miniera të funksionojë përsëri. Ka pasuri të pallogaritshme këtu poshtë”, shtoi presidenti i kooperativës, ndërsa Chico Osorio sqaroi: “A i shihni ato maja të shndritshme? Është ar”.