Presidenti i FIFA-s, Infantino: Sot askush nuk dëshiron të luajë kundër Kosovës, frikësohen se humbin

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lavdëruar zhvillimin e futbollit kosovar gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se Kosova tashmë është bërë një kundërshtar që askush nuk dëshiron ta ketë përballë.

“Nëse shohim sa shumë është zhvilluar futbolli në Kosovë në dhjetë vitet e fundit, që nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, është diçka e jashtëzakonshme. Sot askush nuk dëshiron të vijë të luajë kundër Kosovës, sepse kanë frikë se do të humbasin. Ekipi është i fortë dhe keni tifozë gjithandej. Puna që po bëhet është e shkëlqyer,” ka thënë Infantino gjatë paraqitjes së tij në “FFK Podcast”.

Numri një i futbollit botëror ka shtuar se ndihet i nderuar dhe i emocionuar që ka marrë çmim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai ka ritheksuar se këtë çmim ia ka dedikuar Fadil Vokrrit, ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për të cilin ka thënë se personifikon qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit të Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu