“Liria ka emër”, Tirana ‘kërkon’ liri për ish-krerët e UÇK sot! Ja çfarë pritet të ndodhë dhe kush do të marrë pjesë në protestë

Kryeqyteti shqiptar pritet të mbushet sot me thirrje për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protesta mbarëkombëtare do të mbahet në orën 17:00, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Në njoftimin e bërë më 14 tetor, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, deklaroi se në tubim do të marrin fjalën ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai bëri të ditur gjithashtu se nga Kosova do të nisen drejt Tiranës rreth 60 autobusë me qytetarë që do t’i bashkohen protestës.

Pjesëmarrjen në këtë protestë e ka konfirmuar edhe Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cili tha se deputetët e mazhorancës do të mbështesin protestën dhe do të jenë të pranishëm në shesh.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në tubim. I vetmi që i ka dalë ‘kundër’ ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare në Kuvend deklaroi se do të jetë pjesëmarrës në protestë.

Sakaq Kryebashkiaku i Prishtinës Përparim Rama, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për të siguruar transportin për veteranët e UÇK-së që do të marrin pjesë në protestë. Ai deklaaoi se veteranët janë pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe se Prishtina do të vazhdojë të jetë shembull i respektit institucional dhe mirënjohjes publike për ta.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

Protesta në Tiranë vjen pas dy tubimeve të mëdha të zhvilluara më herët në Prishtinë dhe Hagë, ku mijëra qytetarë kërkuan lirimin dhe drejtësinë për ish-krerët e UÇK-së; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Të katër ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./ Dosja.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu