Një mbështetje e fuqishme ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara për kandidatin Fisnik Mela, nga biznesmeni dhe veprimtari i njohur shqiptar në diasporë, Emin (Eddie) Egriu.
Në një deklaratë publike, Egriu thekson se ka ardhur koha për t’i dhënë një mundësi brezit të ri të udhëheqjes në Dibër, duke vlerësuar ndershmërinë dhe përkushtimin e Melës ndaj komunitetit.
“Ka ardhur koha t’i japim një mundësi udhëheqjes së re për të përfaqësuar Dibrën, vendlindjen time,” – shprehet Egriu.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për veprat e nderuara që ka bërë kundërshtari i tij. Megjithatë, ai ka qenë pjesë e rrethit të brendshëm për shumë vite, dhe unë e shoh sikur asgjë nuk do të ndryshojë.”
Egriu nënvizon se komuniteti shqiptar në SHBA e ndjen prej kohësh mungesën e zhvillimit real në Dibër, duke përmendur pengesat në investime dhe mungesën e transparencës në proceset vendimmarrëse.
“Investimet dhe ardhja e investitorëve kanë qenë të ngadalta e të vështira, ndërsa ndërtimi i zhvillimeve të reja është bërë pothuajse i pamundur për këdo që nuk është pjesë e sistemit të brendshëm, për shkak të korrupsionit dhe mungesës së transparencës në dhënien e lejeve,” – thekson ai.
Duke e cilësuar Fisnik Melën si përfaqësues të brezit të ri me vizion e ndershmëri, Egriu shpreh bindjen se ai do të sjellë një frymë të re në udhëheqjen vendore.
“Zoti Mela e ka dëshmuar gjatë gjithë jetës së tij se është njeri i ndershëm dhe besnik. Ai do të sjellë një frymë të re udhëheqjeje dhe do t’i shërbejë popullit, ashtu siç duhet të bëjë çdo lider i vërtetë,” – shton ai.
Në fund, Egriu i jep mbështetjen e tij të plotë kandidatit Mela, duke theksuar se do të kontribuojë personalisht për ta mbajtur atë përgjegjës ndaj qytetarëve dhe premtimeve të tij.
“Unë i jap mbështetjen time të plotë Fisnik Melës dhe do të bëj pjesën time për ta mbajtur atë përgjegjës për premtimet e tij,” – përmbyll deklaratën e tij Emin Eddie Egriu.










