Kurti: Ne zgjedhim zgjedhjet, LDK-në dhe Nismën i ftuam për marrëveshje, s’deshën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, një ditë pas dështimit që në Kuvend t’i merrte votat e mjaftueshme për ta krijuar qeverinë “Kurti 3”, ka dalë në konferencë për media.

Ai tha se asnjëra nga partitë parlamentare të cilave iu bënë ftesë nuk kanë pranuar bashkëqeverisje, megjithëse, sipas tij, vota e qytetarit kishte përcaktuar që duhet të kishte koalicion bashkëqeverisës.

“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezononin ndryshe këto dy parti e të pranonin ofertën tonë për bashkëpunim, ne jo vetëm që do t’i kishim numrat e nevojshëm të kishim qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnin zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit, që na pret pas vetëm 4 muajsh”, tha Kurti në nisje të kësaj konference për media.

Kurti, tha se duke parë disponimin e elektoratit të LVV-së dhe LDK-së, është përpjekur shumë që ta shkëpuste LDK-në nga PDK-ja.

“Në vitin 2020 ia arritëm, por vetëm për 51 ditë, e provuam përsëri me lidershipin e ri të LDK-së, por pa sukses. E vetmja mënyrë që LDK pranonte të bëhej pjesë e qeverisë me ne, ishte që edhe PDK-ja të ishte aty brenda. Për neve kjo është e papranueshme, sepse është e dëmshme”, deklaroi Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë, që është kryetar i Vetëvendosjes, tha se katër vitet e këtij mandatit kanë dëshmuar se qeveria është stabile atëherë, kur, përveç numrave në Kuvend, i ka edhe numrat në kuti të votimit, dhe se, sipas tij, interesat e vendit mbrohen dhe afirmohen më së miri atëherë kur kryeministri dhe qeveria gëzojnë legjitimitet të madh e të drejtpërdrejtë nga populli.

“Dua të theksoj se unë dhe LVV jemi të interesuar andaj angazhohemi të punojmë që ta zhvillojmë shtetin e jo që ta mbajmë pushtetin. Prandaj, para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, ne zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveçse drejt zgjedhjeve të reja”, tha kryeministri në detyrë në konferencë për media nga objekti i qeverisë.

Ai shtoi se Kosova nuk ka rrugë tjetër, pos të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

“Para çdo marrëveshje që shtrembëron vullnetin e qytetarëve në zgjedhje, në zgjedhim zgjedhjet. Kjo është edhe arsyeja pse vendi natyrisht, siç e pamë gjatë ditës së djeshme, nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç zgjedhjeve të reja”, deklaroi Kurti duke shtuar se këtë nuk e ka dashur LVV./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu