Real Madridi ka ruajtur pozitën e parë në tabelën e La Ligës pas fitores 2:1 ndaj Barcelonës në “El Clásico”, ndeshje e vlefshme për javën e dhjetë të kampionatit spanjoll.
Skuadra e Xabi Alonsos ishte më konkrete dhe dominoi në pjesën më të madhe të takimit, duke shënuar një fitore të merituar ndaj rivalit historik. Megjithatë, ndeshja u mbyll me tensione të mëdha në fund, pasi në fushë shpërtheu një konflikt mes lojtarëve të të dy ekipeve.
Në qendër të përplasjes ishin 18-vjeçari Lamine Yamal nga Barcelona dhe braziliani Vinicius Junior nga Real Madridi.
Gjithçka nisi pas një kontakti mes Yamal dhe Eduardo Camavingas, ndërsa situata u përkeqësua kur Dani Carvajal ndërhyri dhe i tha ironikisht Yamalit të “heshte”, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të tij se “Reali fiton me ndihmën e gjyqtarëve”.
Pas përfundimit të ndeshjes, situata vazhdoi të komentohej edhe në media. Ylli i Barcelonës, Raphinha, foli hapur për incidentin dhe kritikoi bashkëlojtarin e tij të ri për mungesë përvoje.
“Është faji i tij (Yamal) që është i ri dhe nuk ka pjekurinë për të menduar para se të thotë diçka të tillë. Fjalët e tij i dhanë Real Madridit motivim shtesë”, tha Raphinha për DAZN.
Me këtë fitore, Real Madridi mbetet në krye të La Ligës, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh me Barcelonën që ndodhet në vendin e dytë. Në javën e ardhshme, “Los Blancos” do të presin Valencian në “Santiago Bernabéu”, ndërsa Barcelona do të përballet në shtëpi me Elchen. /Telegrafi/










