Federata Botërore e Futbollit, FIFA, ka dënuar federatën serbe me 87 mijë franga zvicerane gjobë dhe me mbylljen e tribunave pas portave për ndeshjen e fundit eliminatore kundër Letonisë.
Sipas vendimit, dënimi vjen pas sjelljeve diskriminuese dhe raciste të tifozëve serbë gjatë ndeshjes me Shqipërinë, të zhvilluar në Leskovc, ku gjatë intonimit të himnit shqiptar janë dëgjuar thirrje fyese dhe kore me përmbajtje urrejtjeje.
Për shkak të dënimit dhe situatës së përsëritur, federata serbe ka njoftuar se nuk do të shesë bileta për duelin e 13 nëntorit ndaj Anglisë në “Uembley”, duke deklaruar se nuk do të mbajë përgjegjësi për sjelljen e tifozëve.
“Duke marrë parasysh përvojat e kaluara dhe gjobat e shumta të paguara gjatë këtyre eliminatoreve, federata nuk do të marrë përsipër shitjen e biletave për ndeshjen në Angli”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Për situatën në grupin K ka folur edhe kapiteni i Serbisë, Aleksandër Mitroviç, i cili pranoi se fati i kualifikimit nuk është më në duart e tyre.
“E dimë që fati nuk është në dorën tonë, por do të japim gjithçka. Na presin dy ndeshje të vështira me Anglinë dhe Letoninë. Nëse ka edhe pak shanse për kualifikim, do t’i luajmë dhe do të shpresojmë”, tha Mitroviç.
Ndeshjet e 13 nëntorit pritet të jenë vendimtare për kualifikimin. Nëse Shqipëria fiton ndaj Andorrës dhe Serbia mundet nga Anglia, atëherë kuqezinjtë sigurojnë zyrtarisht vendin e dytë në grup që çon në “Play Off”. Në të kundërt, gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit të fazës eliminatore./Tv Klan/










