Aleksandër Jovanovski merr detyrën e kryetarit të Komunës së Kërçovës: Nuk është privilegj, por detyrim ndaj qytetarëve

Me një ton mirënjohjeje dhe përgjegjësie, kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Kërçovës, Dr. Aleksandër Jovanovski, mori sot zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Fatmir Dehari. Në fjalën e tij pas marrjes së detyrës, Jovanovski theksoi se pozita e kryetarit të komunës nuk është privilegj, por një detyrim i madh ndaj qytetarëve të Kërçovës.

“Me nder të madh dhe ndjenjë përgjegjësie, sot, më 10 nëntor 2025, marr detyrën e Kryetarit të Bashkisë së qytetit tonë të Kërçovës. Nuk e shoh këtë detyrë si privilegj, por si një detyrim, një detyrim para jush, qytetarëve, për të punuar me përkushtim, në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve,” – deklaroi Jovanovski.

Ai falënderoi sinqerisht ish-kryetarin Fatmir Dehari për angazhimin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në zhvillimin e qytetit, duke theksuar se respekti për të kaluarën është themel për çdo progres, ndërsa bashkëpunimi dhe vazhdimësia janë çelësi i suksesit të ardhshëm.

Në mesazhin e tij, Jovanovski vuri në dukje se Kërçova ka potencial të madh dhe njerëz punëtorë, duke shprehur vendosmërinë për të ndërtuar një qeverisje lokale të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, politike apo fetare.

“Qëllimi im është të ndërtoj një qeverisje lokale që do të jetë pranë qytetarëve, e hapur ndaj ideve dhe zgjidhjeve, dhe që do t’i dëgjojë të gjithë. Besoj se me punë të përbashkët, dialog të ndershëm dhe përkushtim do të krijojmë një qytet më të bukur, më të drejtë dhe më të suksesshëm për të gjithë ne dhe për brezat e ardhshëm.”

Në fund, kryetari i ri i Kërçovës u zotua se nuk do të ketë ndarje mes qytetarëve, duke e përmbyllur fjalën me thirrjen: “Le të ecim përpara – së bashku! Për mua nuk ekzistojnë ndarje. Udhëhiqemi nga një qëllim i vetëm – një jetë dinjitoze për të gjithë.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu