Messi te Barcelona? Ja çfarë mund ta sjellë rikthimin e legjendës

Thashethemet për rikthimin e Leo Messit te Barcelona janë rikthyer fuqishëm pas publikimit të një serie fotosh nga vetë argjentinasi në stadiumin e rinovuar “Camp Nou”, me mbishkrimin emocional: “Do të kthehem një ditë, jo vetëm për të thënë lamtumirë”.

Aktualisht, Messi luan për Inter Miami në MLS dhe ka ndezur shpresat e tifozëve për një rikthim simbolik te klubi ku u bë legjendë. Në moshën 38-vjeçare, argjentinasi duket i gatshëm të mbyllë karrierën me një rikthim në “shtëpinë” e tij të vjetër.

Barcelona po shqyrton mundësinë e këtij rikthimi, megjithëse pengesat financiare dhe rregullat për lojtarët jashtë Bashkimit Evropian e bëjnë çështjen të ndërlikuar. Një nga opsionet që po diskutohet është përdorimi i “Ligjit Beckham”, që lejon lojtarët e MLS të bashkohen përkohësisht me klube evropiane gjatë pushimit të sezonit amerikan.

Nëse Inter Miami jep pëlqimin, Messi mund të rikthehet për disa muaj në “Camp Nou” në merkaton e janarit, përpara se të vendosë për të ardhmen e tij përfundimtare si lojtar, simbol apo ambasador i klubit.

Ky rikthim do të kishte një vlerë të madhe sportive dhe emocionale për Barcelonën, duke forcuar lidhjen me tifozët dhe duke sjellë përvojë në dhomën e zhveshjes.

Në çdo rast, mundësia e rikthimit të Messit mbetet një skenar që emocionon gjithë botën e futbollit dhe mund të realizohet më shpejt nga sa pritet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu