Në Mitrovicë të Jugut ka përfunduar sot procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ilir Gashi, anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, në një konferencë për media, ka kërkuar sërish të ketë rivotim në Mitrovicë të Jugut, transmeton Klankosova.tv.
“Siç e dini sot edhe përfundoj procesi i verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën e Numërimit. I falënderoj të gjithë vëzhguesit dhe numëruesit, të cilët kanë bërë një punë të mirë në verifikimin dhe identifikimin e të gjitha fletëvotimeve”.
“Prandaj, ne sot mendojmë së ky proces duhet të bie edhe në duart e organeve të drejtësisë për faktin se nga këtu kemi vërejtur se kemi një defekt serioz të fletëvotimeve të cilat në një farë mënyre e kanë rrënuar besimin e opinionit publik në procesin zgjedhor. Për rrjedhojë ne konsiderojmë se e vetmja mënyrë për ta rikthyer këtë proces në binar është që të shkojmë edhe një herë në rivotim në këtë komunë, dhe shkuarja në zgjedhje prapë”, ka thënë Gashi.
Dje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, pas dyshimeve të bazuara për cenimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë, ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim.
Gruda, në një konferencë për media, tha se PDK do ta mbrojë deri në fund vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës dhe integritetin e zgjedhjeve në Kosovë, sepse vota dhe demokracia janë të shenjta. /Klankosova










