Shqiptarët vetëm me një këshilltar komunal në Ohër

Shqiptarët në këshillin komunal të Ohrit do të jenë të përfaqësuar vetëm me një këshilltar të vetëm. Ai është Rushan Hoda, i cili u zgjodh si kandidat i vetëm në listën që garoi si qytetare pas një koalicionimi midis AKI-së dhe VLEN-it.

Hoda ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve për mbështetjen dhe rezultatin e arritur, përcjell INA.

“Të nderuar qytetarë të Ohrit, nga thellësia e zemrës dua t’ju falënderoj për rezultatin që e arritëm bashkërisht ditën e djeshme. Me këtë rezultat ne treguam se mekanizma të ndryshëm mund të na dobësojnë, por nuk mund ta shuajnë zërin tonë në komunën e Ohrit,” – deklaroi Hoda.

Ai shtoi se ky rezultat duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj:

“Le të jetë ky rezultat një vazhdimësi për gjeneratat e ardhshme, të cilët shpresoj se do të kenë një mentalitet të fortë unifikues dhe rezultatin tonë do ta trefishojnë.”

Rushan Hoda, i cili udhëhoqi listën e përbashkët të AKI dhe VLEN, e vlerësoi rezultatin si dëshmi të qëndrueshmërisë dhe unitetit të shqiptarëve në Ohër, pavarësisht sfidave dhe presioneve politike. Në komunën e Ohrit, VMRO-DPMNE ka fitur bindshëm duke pasur kryetarin e komunës dhe duke udhëhequr edhe Këshillit komunal, për shkak të fitores së 13 këshilltarëve komunal, pas tyre radhitet LSDM me 5 këshilltarë, ZNAM me 2 dhe tre parti tjera më të vogla përfshirë edhe turqit me nga një këshilltar. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu