Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në rast të dështimit të formimit të qeverisë nesër, do të diskutojë me partitë politike zgjatjen e buxhetit.
“Vetëm se në rast se nuk ka sukses, atëherë është e domosdoshme që të flasim për miratimin e zgjatjes buxhetore, sepse duhet të sigurohemi që qytetarët tanë, jo vetëm dhjetëra mijëra shërbyes civilë, por edhe shumë e shumë shërbime që paguhen nga buxheti i shtetit, të mos bllokohen. Një gjë e tillë nuk i ka ndodhur Kosovës asnjëherë; do të ishte një situatë kritike. Po flasim për nevojat më bazike të qytetarëve tanë që do të mund të bllokoheshin nëse nuk kemi zgjatje buxhetore deri në fund të marsit.
Natyrisht, këtë temë do ta diskutoj me partitë në rast se ndodh ajo që përmendët ju, pasi që tani nuk mund të paragjykojmë se cili do të jetë rezultati nesër”, tha ajo në konferencën për media që pati me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, në vizitën që po qëndron në Kosovë.










