Karim Benzema mund të jetë gati për një rikthim sensacional në futbollin evropian, por ai ka një kusht kyç para se të pranojë një lëvizje të tillë.
Sulmuesi francez konsiderohet gjerësisht si një nga qendërsulmuesit më të mirë të shekullit 21.
Pas pesë vitesh në ekipin e parë të Lyonit, ai iu bashkua gjigantëve spanjollë të Real Madridit, ku fitoi 25 trofe, përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve.
Sezoni i tij më i mirë erdhi në 2021/2022, kur shënoi 44 gola në 46 ndeshje duke udhëhequr Real Madridin drejt triumfit në Ligën e Kampionëve dhe La Liga.
Ai kaloi një vit tjetër në Spanjë përpara se të transferohej te kampionët arabë të Al-Ittihad në vitin 2023, ku nënshkroi një kontratë trevjeçare.
Me këtë marrëveshje që skadon në qershor 2026, spekulimet kanë filluar të rriten mbi lëvizjen e radhës në karrierën e Benzemas.
Në një intervistë të fundit për mediumin spanjoll AS, ai zbuloi se një rikthim në futbollin evropian mbetet një mundësi.
“Është e vërtetë që kam oferta nga Evropa. Duhet t’i shqyrtoj të gjitha, të zgjedh me mençuri dhe të shoh ku ndihem rehat, pa harruar që ndihem mirë këtu dhe marr përkrahje nga të gjithë. Por do të shohim”.
Megjithëse një rikthim te Real Madrid mund të jetë skenari i ëndrrave, Benzema shpjegoi se një gjë e tillë do të ndodhte vetëm nëse presidenti i klubit, Florentino Perez, do ta dëshironte këtë.
“Nëse Florentino është ende aty, mund të ndodhë, mund të ndodhë. Unë flas me të dhe është e mundur. Unë jam tifoz i Real Madridit. E ndiej në shpirt”.
“Madridi është ende qyteti im, ndihem si tifoz i Real Madridit dhe si madrilen. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë francezi./Telegrafi/










