E përlotur para mediave, Zekolli-Shaqiri kërkon drejtësi për bashkëshortin e ndjerë

E përlotur, doli para mediave për të shprehur revoltën e saj. Dënimi me burg prej 7 muajsh për personin që shkaktoi aksidentin ku humbi jetën çiklisti Arbër Shaqiri, për bashkëshorten Kaltrina Zekolli-Shaqiri nuk është i mjaftueshëm. Ajo kërkon drejtësi dhe dënim më të lartë, pasi siç thotë, ky dënim është minimal.

“Dhe në momentin më të rëndë, kur vendimi u shpall, dhe dhimbja më pushtoi sërish, gjykatësja Dragana Isakovska më ngriti zërin. Ngriti zërin ndaj një gruaje që kishte humbur gjithçka, vetëm pse reagova njerëzisht. Atë çast nuk fola si profesioniste, por si nënë dhe si bashkëshorte e thyer. Dola me një fjali që më doli nga shpirti. Uroj të mos e përjetoni kurrë një dhimbje të tillë. Sot jam para jush me duar të lidhura, ligji nuk më jep të drejtë ankese, por Prokuroria e ka dhe sot i drejtohem asaj publikisht. Kërkoj apel të vendimit, kërkoj vendim të drejtë”, tha Kaltrina Zekolli-Shaqiri .

Zekolli-Shaqiri vlerëson se procesi është zvarritur që tre vite dhe tregon se tani ka filluar faza e parë. Kërkon nga Prokuroria që të ankimoj vendimin, pasi siç thotë ajo vetë nuk ka të drejtë.

“Sipas detyrës zyrtare mendoj se vendimi i gjykatës moti do të duhej të ishte shqiptuar, ndërsa ne ende jemi në proces gjyqësor dhe tani presim nga prokuroria që të ngreh ankesë për vendimin që ka sjell Gjykata Themelore e shkallës së parë”, u shpreh Kaltrina Zekolli-Shaqiri .

TV21 dërgoi pyetje në Prokurorinë Themelore Publike, nëse do të merret parasysh kërkesa e lartpërmendur dhe do të ankohen për vendimin e Gjykatës, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje.

Përndryshe aksidenti tragjik ka ndodhur në nëntor 2022, ku një automjet i tipit “Mazda” me targa të Shkupit i drejtuar nga një, atë kohë 63-vjeçar mori përpara grupin e çiklistëve dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes çiklisti Arbër Shaqiri, ndërsa disa çiklistë të tjerë mbetën të plagosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu