Elon Musk vuri në dukje se e ardhmja do të jetë pa vende pune e pa para dhe se varfëria do të zhduket falë zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. Gjatë Forumit të Investimeve SHBA-Arabi Saudite, ku ndodhej në një panel me shefin e Nvidia-s, Jensen Huang, Musk u shpreh se paratë “nuk do të kenë më rëndësi”.
Ai deklaroi se një ditë monedha do të bëhet e panevojshme, sepse gjithçka do të prodhohet nga makineritë inteligjente. Musk shtoi se puna do të mbetet vetëm një zgjedhje, ashtu siç dikush zgjedh të luajë sport apo videolojë.
Të ardhmen e punës e krahasoi me kopshtarinë, duke thënë se disa njerëz kultivojnë perime vetëm sepse u pëlqen. Sipas tij, puna nuk do të jetë domosdoshmëri për asnjë njeri. Prej muajsh, Musk ka ndarë vizionin e tij për një botë të dominuar nga AI. Musk shprehet se zhdukja e varfërisë është e mundur vetëm përmes robotikës së avancuar.
Në një takim me investitorë, përmendi robotin Optimus si çelësin e këtij transformimi. Musk beson se robotët do të marrin përsipër çdo lloj pune që ekziston sot. Sipas tij, kur puna dhe paratë të mos jenë më të nevojshme, qeveritë duhet të garantojnë një të ardhur universale.
Ndër të tjera theksoi se kjo e ardhur duhet të jetë e lartë, në mënyrë që këdo të ketë mundësi të sigurojë çdo shërbim apo produkt. Musk paralajmëroi se rruga drejt këtij realiteti nuk do të jetë e lehtë dhe se shoqëria mund të përballet me trauma e përçarje.










