Vini Jr. drejt largimit nga Real Madridi? ‘Ylli’ brazilian kërkon ‘kokën’ e Alonsos

Një zhvillim i bujshëm ka tronditur Real Madridin këtë pasdite. Sipas ‘The Athletic’, ‘ylli’ brazilian, Vinicius Junior, i ka bërë të ditur klubit se nuk do të nënshkruajë një kontratë të re për sa kohë marrëdhënia e tij me trajnerin Xabi Alonso mbetet e tensionuar.

Kontrata aktuale e Vini Jr. skadon në vitin 2027, por bisedimet për rinovim janë bllokuar pikërisht për shkak të raportit të ftohtë mes sulmuesit dhe trajnerit të ri të madrilenëve. Alonso u emërua në verë dhe ka pasur një nisje inkurajuese të sezonit, por duket se marrëdhëniet me njërin nga lojtarët kryesorë të ekipit janë futur në një pikë kritike.

Sipas gazetarit të njohur, Mario Cortegana, tri burime të ndryshme i kanë konfirmuar ‘The Athletic’ se Vinicius e ka ngritur këtë çështje edhe në një bisedë private me presidentin Florentino Perez muajin e kaluar, duke i shprehur pakënaqësinë dhe hezitimin për të rinovuar kontratën.

Ky raport ka ndezur menjëherë alarmet në kampin madrilen, pasi Vinicius është njëri nga lojtarët më të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen e klubit. Nëse tensionet me Xabi Alonson nuk zgjidhen, e ardhmja e brazilianit në “Santiago Bernabeu” vihet seriozisht në dyshim.

Tani mbetet të shihet nëse Real Madridi do të ndërhyjë për të shmangur një krizë të hapur, apo nëse situata do të përshkallëzohet drejt një lëvizjeje të papritur në tregun e transferimeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu