Vizita e kongresistëve amerikanë! Kosova, partner i besueshëm i SHBA-së

Kongresistët amerikanë, Michael Turner dhe Donald Norcross kanë qëndruar për vizitë në Kosovë, ndërkaq gjatë kësaj vizite ata janë takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.

E para e shtetit në takimin me kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe mundësitë për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e ngushtë me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve për Kosovën. Ajo theksoi se kontributi amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.

Presidentja nënvizoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë dhe është e përkushtuar plotësisht ndaj reformave të brendshme, bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit Trump në fusha me interes të përbashkët.

Ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, të cilin Osmani e cilësoi si një imperativ strategjik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë Evropës. Ajo rikujtoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në misione jashtë vendit, ndërsa Kosova ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synim dyfishimin brenda pak vitesh. Në aspektin e sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani vlerësoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë dhe theksoi rëndësinë e pranisë së vazhdueshme amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it, të cilën e quajti garanci të paqes për Kosovën dhe rajonin.

Presidentja ngriti edhe çështjen e agresionit në Banjskë, duke theksuar se Serbia edhe pas më shumë se dy vjetësh vazhdon t’i mbrojë organizatorët dhe autorët e sulmit, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët nuk janë dorëzuar drejtësisë. Ajo tha se llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e rrezikut nga veprime të ngjashme.

Kongresistët amerikanë, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve kanë takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Sipas njoftimit për media thuhet se gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes. Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së”, përfshirë akademitë prestigjioze ushtarake si West Point dhe U.S. Army War College.

Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së ShBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë”.

Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përfshirë armatimin modern.

“Kemi prokuruar pajisje ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemet anti-tank Javelin”, tha ai, duke shtuar se Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, gjë që e bën vendin tonë të 33-in në botë me këtë status të besueshëm.

Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër temë kyçe e takimit, me mundësi të reja në energji, teknologji dhe projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.

Kryeministri theksoi gjithashtu progresin e brendshëm të vendit.

“Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah”, tha Kurti.

Ai u shpreh se orientimi euro-atlantik i Kosovës mbetet i palëkundur, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribuuese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian.

Në fund, Kurti shprehu falënderimin e tij për partneritetin e ngushtë me ShBA-të, duke thënë se ai përfaqëson “mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kongresmenët amerikanë gjatë qëndrimit në Kosovë kanë vizituar edhe KFOR-in, ku janë pritur nga gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga kongresmeni Michael Turner.

Në takim ishte i pranishëm edhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş informoi delegacionin amerikan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe për angazhimet e vazhdueshme të këtij misioni në ruajtjen e stabilitetit.

Ai theksoi se përkushtimi i KFOR-it për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës mbetet i palëkundur. Ulutaş vlerësoi gjithashtu kontributin e gjatë dhe të pandërprerë të Shteteve të Bashkuara në kuadër të KFOR-it, duke e konsideruar atë si thelbësor për paqen dhe sigurinë rajonale.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo sfide të mundshme të sigurisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu