Kurti pas nominimit për kryeministër me kritika të reja ndaj opozitës

Pas rikandidimit nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti doli me një deklaratë të ashpër politike, duke e cilësuar situatën aktuale si pasojë të një bllokade të qëllimshme nga partitë opozitare. Por ndryshe nga komunikimet e mëhershme, toni i Kurtit këtë herë ishte dukshëm më konfrontues dhe i fokusuar në akuzën se vendi po shtyhet drejt destabilitetit të panevojshëm.

Sipas Kurtit, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë vullnet i Vetëvendosjes, por pasojë e “refuzimit sistematik të bashkëpunimit nga partitë tjera”, të cilat sipas tij “nuk po e pranojnë realitetin politik”. Ai rikujtoi edhe dështimin për të siguruar mbështetje për kandidaturën e tij dhe të Glauk Konjufcës, duke theksuar se opozita “ka vepruar e unifikuar vetëm për ta rrëzuar qeverisjen e Vetëvendosjes”.

“Buxheti, marrëveshjet ndërkombëtare, dhe çdo proces që ka rëndësi për qytetarët është bllokuar. Kjo është përpjekja e tyre për ta shndërruar një situatë institucionale në krizë sociale”, tha Kurti, duke argumentuar se kriza ekonomike dhe financiare në vend “nuk ekziston”. Zgjedhjet e parakohshme pritet të zhvillohen në një klimë të polarizuar, me akuza të ndërsjella dhe me rritje të tensioneve politike, ndërsa qytetarët përballen me pasiguri institucionale dhe mungesë qartësie për zhvillimet e javëve të ardhshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu