Eduardo Camavinga mund të jetë lojtari i parë që largohet nga Real Madridi në afatin kalimtar të janarit.
Mesfushori francez, i cili nuk është titullar i rregullt te Real Madridi dhe po lidhet me një lëvizje drejt Liverpoolit, që duket i gatshëm ta shfrytëzojë situatën e tij aktuale në kryeqytetin spanjoll.
Te Real Madridi, konkurrenca për minuta është e ashpër. Skuadra është e mbushur me yje dhe edhe lojtarët e paguar shtrenjtë shpesh e gjejnë veten në stol, një realitet që Camavinga e njeh mirë. Por një derë e re mund të hapet për 23-vjeçarin.
Sipas CaughtOffside, Liverpooli po përgatitet të paraqesë një ofertë zyrtare prej rreth 60 milionë eurosh për mesfushorin e gjithanshëm.
Trajneri Arne Slot e ka vendosur francezin në krye të listës së dëshirave dhe e sheh atë si një përforcim ideal në mesfushë.
Ndërkohë, Real Madridi nuk ka qëllim ta largojë me çdo kusht Camavingan, por ka zëra brenda klubit që do ta mbështesnin shitjen nëse vjen oferta e duhur. Të ardhurat nga shitja e tij mund të shërbejnë për nënshkrime të reja dhe përforcime të tjera strategjike.
Camavinga, i cili luan kryesisht me këmbën e majtë, ka kontratë të vlefshme me madrilenët deri në vitin 2029, por e ardhmja e tij në “Santiago Bernabeu” është më e pasigurt se kurrë. /Telegrafi/










