Stuhia Bajron godet Greqinë, mbyllen shkollat në disa vende!

Shkollat fillore dhe të mesme në rajonin e Atikës, rajoni më i gjerë i Athinës, sot janë mbyllur me vendim të prefektit, për shkak të stuhisë “Bajron” që ka përfshirë Greqinë dhe ka shkaktuar probleme serioze në metropolin grek, me reshje të dendura shiu, rrugë të përmbytura dhe dëme materiale.

Moti i keq me reshje të dendura dhe bubullima filloi dje pasdite, zgjati gjatë gjithë natës dhe vazhdon edhe sot. Shërbimi grek i zjarrfikësve ka marrë 290 thirrje për ndihmë deri në orën 6 të mëngjesit në rajonin e Atikës, duke ndërhyrë në 90 operacione për pompim uji, 27 prerje pemësh dhe 12 raste të shpërnguljes së qytetarëve në vende të sigurta.

Sipas rrjetit të stacioneve automatike meteorologjike të Observatorit Kombëtar në Athinë dhe portalit Meteo, që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, sasitë më të larta të shiut janë regjistruar në Atikën perëndimore dhe veriore. Më konkretisht, në Vlihadi të Atikës, Avlona.

Qysh dje pasdite, autoritetet e Atikës njoftuan se të gjitha shkollat do të mbeten të mbyllura. Prefekti Nikos Hardalias theksoi se vendimi është marrë në bazë të të dhënave shkencore, në bashkëpunim me mbrojtjen civile, duke rikujtuar se “siguria e fëmijëve është një përparësi e panegociueshme”. Ndërkohë, Ministria greke e Arsimit njoftoi se mësimi do të zhvillohet online.

Ministria e Punëve të Brendshme informoi gjithashtu se punonjësit e sektorit publik që nuk mund të paraqiten në punë për shkak të motit të keq, mund të qëndrojnë në shtëpi.

Në disa zona të Athinës, dje u regjistruan përmbytje rrugësh, ndërsa edhe këtë mëngjes trafiku ishte i ndërprerë në disa bulevarde kryesore. Probleme raportohen edhe në autostradën drejt Korinthit. Situata më e rënduar është në periferitë perëndimore të Atikës – Nea Peramos, Megara dhe zona e Mandrës – të cilat pësuan përmbytje të mëdha edhe në vitin 2017.

Herët në mëngjes, banorët e këtyre zonave morën një mesazh nga numri emergjent 112 për t’u larguar nga bodrumet dhe katet përdhese dhe për t’u zhvendosur në katet e sipërme, për shkak të rrezikut të përmbytjeve. Mesazhe paralajmëruese nga 112 morën gjithashtu banorët e Peloponezit, veriut dhe qendrës së Greqisë, rajonit të Atisë, si dhe ishujve Evia, Hios, Samos, Ikaria, Kretë, Dodekanezë dhe Kiklade.

Parashikohet që fenomenet ekstreme të motit të shkaktuara nga stuhia “Bajron” të vazhdojnë në Greqi deri nesër në mëngjes.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu