Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj që aktualisht është në Francë ka thënë se “të gjithë akuzuesit e sotëm të Serbisë kundër meje, pa përjashtim, janë shkaktarë ose bashkmendimtarë të gjenocidit serb në Kosovë”.
“Sot paska dalë edhe njëfarë i ashtuquajtur patolog serb (Zoran Stankoviq), për të cilin ka të dhëna të mjaftueshme, se e ka bërë të pamundurën që të falsifikojë dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë. Ai qenka ofruar të kryej edhe disa falsifikime të reja për mua”.
“Logjika “tu them sa nuk më kanë thënë”, nuk funksionin më dhe tani radhën për tu përballur me drejtësinë e kanë ata që shkaktuan gjenocid në Kosovë, në mesin e të cilëve është edhe ky farë patologu i Ojdaniqit”.
Haradinaj ka thënë se “e vërteta nuk fshihet, pavarësisht shkathtësive manipulative të disa politikanëve në Serbi, të cilët duke e mbuluar të djeshmën, sot janë maskuar me petk të ri”.
Ky reagim i Haradinajt vje pasi patalogu Stankoviq ka thënë se ai është i gatshëm t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës franceze për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt.
“Është detyra jonë të themi atë që kemi mësuar dhe gjetur gjatë autopsisë”, ka thënë Stankoviç për gazetën ruse Sputnik, transmeton Klan Kosova.
Stankoviq ka thënë se do përgjigjej si dëshmitar ekspert kundër Liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po mbahet në Francë pasi Serbia ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për të, si i dyshuar për krime lufte kundër civilëve në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe 1999.