Policia në qytetin turk Yozgat ka arrestuar sot një afgan, në stomakun e të cilit u gjet më shumë se një kilogram heroinë të paketuar në prezervativë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mashkulli me inicialet A.S. me origjinë nga Afganistani, u arrestua të dielën në Yozgat gjatë një kontrolli rutinë të policisë në një autobus pasagjerësh.
Mashkulli tek i cili shiheshin shenja të qarta të rraskapitjes u ankua për dhimbje, kurse policia gjatë kontrollit të dokumenteve të tij kishte dyshuar edhe në sjelljen e tij të panatyrshme dhe e transportuan atë në spital.
Në ekzaminimin mjekësor në stomakun dhe zorrët e tij u zbuluan dhe u nxorrën gjithsej 61 prezervativë, në të cilat kishte 1 kg e 37 gram heroinë.
Pas dy ditëve të shtrimit në spital, A.S. këtë mëngjes u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve turke për ndjekje të mëtejshme për trafikimin e drogës.