Dje u mbushën 5 vite që kur Kapiten Feti Vogli ra dëshmor në Afganistan për shkak të një sulmi të befasishëm nga një taleban, i cili ishte infiltruar në forcat e policisë afgane.
Major Ernest Marjakaj rrëfën momentin e sulmit ndaj kompanisë së ushtarëve shqiptar ku ishte edhe Kapiten Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë si edhe mbeti i plagosur rëndë ushtari Aleksandër Peçi.
“Grupi i Fetiut ka qenë grupi i parë. Ka qenë i vendosur tek Drejtoria e Policisë afgane në një qytet që quhet Spin Boldak, rajoni i Kandaharit. Me marrjen e urdhrit efektivi ka lëvizur përgjatë autostradës 4 siç quhet autostrada që lidh Kandaharin me Pakistanin.
Janë ndalur në një nga pikat e kontrollit pasi aty ka shumë pika kontrolli gjatë gjithë rrugë-kalimit.
Kanë marrë me vete një automjet me policë afganë dhe janë drejtuar drejt fshatit ku do të realizohej detyra.
Detyra ka qenë takim me banorët e fshatit, diskutim për projektet që bëheshin në zonë dhe diskutohej gjithashtu për mundësinë e hapjes së shkollës fillore, pasi gjendja e arsimit në ato zona është inekzistente.
Në fshatin afgan, një pjesë e efektivit futet brenda objektit ku do bëhej takimi me kryepleqtë dhe banorët dhe një pjesë qëndron pranë automjeteve për të bërë sigurimin.
Gjatë realizimit të takimit për hapjen e shkollës, një nga policët e infiltruar nga forcat talebane qëllon drejt efektivëve tanë, ku ra në krye të detyrës kapiten Feti Vogli dhe plagoset rëndë tetar Aleksandër Peci”, tregon Major Marjakaj.
Ai theksoi se grupi i ushtarakëve shqiptarë e pati të pamundur të mbrohej pasi ka qenë një sulm i befasishëm.
“Është e pamundur të shmangësh sulme të tilla sepse efektivin e ke marrë me vete dhe supozohet që jeni nga e njëjta anë, për të njëjtin qëllim. Pas ngjarjes ata janë dorëzuar dhe u janë dorëzuar forcave afgane të sigurisë”, shpjegon ai duke theksuar se ishte një ngjarje e rëndë që i preku të gjithë.
“Ka pasur më parë vetëm të plagosur nga forcat tona. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë dhe nuk do të harrohet lehtë as nga pjesëtarët batalioni special dhe as nga pjesëtarët e të gjitha Forcave e Armatosura. Është një ngjarje e rëndë pasi humbën një shok, një bashkëluftëtar, por gjithsesi vazhdojmë ta kujtojmë dhe jemi krenarë që kemi jetuar e punuar bashkë”, u shpreh ai./Albeu