Kryeopozitari Lulzim Basha ka marrë shumë kritika nga faktori ndërkombëtar për sa i takon bojkotit dhe protestës, si edhe bllokimit të reformës në drejtësi. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë Gjermania ajo që e ka kritikuar ashpër.
Më 23 mars, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë një letër nga zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i cili është njëkohësisht edhe shefi i politikës së jashtme në CDU, si dhe ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë. Ai ka kritikuar Bashën për ngërçin zgjedhor që po krijon edhe i ka bërë apel që të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, duke iu shmangur bojkotit.
Në letër, funksionari i lartë partiak i CDU-CSU shkruan se ishte ngarkuar nga pjesëmarrësit në mbledhjen e grupit të punës të Ballkanit Perëndimor, e cila ishte mbledhur më 21 mars për t’i përcjellë kryetarit të Partisë Demokratike, siç thotë ai, shqetësimin e thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri. “Pasi grupi im parlamentar u angazhua fuqishëm për reformën në drejtësi në vendin tuaj dhe më pas kjo u votua me votat e grupit tuaj parlamentar më 21 korrik, ne tani jemi shumë të pakënaqur që kjo reformë e rëndësishme, e dëshiruar nga 90 për qind e shqiptarëve, nuk po vihet në zbatim, sepse Partia Demokratike po bojkoton Parlamentin”, thuhet në letrën e Franz Josef Jung. Qeveria që ai përfaqëson, thotë zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Bundestagut, është shumë e shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë falsifikim të madh si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera, por bojkotin ai e cilëson si rrugë të gabuar, përfshirë këtu edhe kërkesën për qeveri teknike. “Por ne mendojmë se është rruga e gabuar, që ky problem mund të zgjidhet përmes bojkotit parlamentar dhe deklarimin e mosregjistrimit për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse qeveria e zgjedhur shqiptare nuk jep menjëherë dorëheqjen dhe të zëvendësohet me një qeveri teknike nga të gjitha grupet parlamentare”, thuhet në letrën e tij.
Gjermania ultimatum Bashës
Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë ka paralajmëruar gjithashtu Lulzim Bashën se pasojat do të jenë të rënda nëse nuk votohet reforma në drejtësi. “Vonesa e reformës në drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU-CSU. Kjo nuk është në interesin tonë”, vijon Jung në letrën e tij. Zyrtari i lartë gjerman është ultimativ kur thotë se, ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta. Në emër të grupit parlamentar më të rëndësishëm në Gjermani dhe në mesin e partive popullore europiane, Jung i drejton kryetarit të Partisë Demokratike lutjen e tyre urgjente. “Për t’i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t’u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër”, thekson Jung.