Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, duke folur për zhvillimet e fundit në Maqedoni, ka thënë se shqitparët duhet të presin kohë të konsiderueshme që kryetari i Kuvendit të jetë nga ta. Sipas Xharrës, VMRO-DPMNE, tani ka bllokuar shqiptarët me manovrimin e tyre të fundit për të folur e gjithë partia në Kuvend.
“Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Shkupit paralajmërojnë që kryetari shqiptar i kuvendit të Maqedonisë do të pres edhe gjatë kohë për tu zgjedhur”, ka thënë Xharra e cila më pas ka shtuar. “Vazhdimi i seancës konstitutive të kuvendit të Maqedonisë të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit ta kaluar, ka sjellë një metodë krejtësisht të papritur të obstruimit nga partia e Nikolla Gruevskit, VMRO DPMNE. 50 deputetët e kësaj partie, përveç liderit te tyre, Nikola Gruevski, janë paraqitur për fjalë në lidhje me pikën e rendit të ditës për zgjedhje të anëtarëve të komisionit për zgjedhje dhe emërime”, ka thënë kryeredaktorja e gazetës “Zëri”.
Sipas saj tani të gjithë këta 50 deputet gjithashtu i replikojnë dhe kundër-replikojnë folësit të radhës nga partia e tyre, me ndërhyrje shtesë edhe nga partitë tjera në Kuvend dhe kjo e shtynë edhe më tej procesin e zgjedhjes së kryetarit.
“Sipas kësaj, një dite punë në Kuvend kalon me ezaurimin e debatit të vetëm një deputeti e gjysmë nga gjithsej 50, me c’rast do të duhen afërsisht mbi dy muaj për ta përfunduar debatin vetëm për këtë pikë për arsye se Kuvendi punon vetëm nga e hëna në të enjte dhe nga ora 12:00 deri në ora 18:00, me një orë pauze”, ka thënë ajo.
Sipas Xharrës, e njëjta taktikë pritet edhe gjatë pikës për zgjedhje të Kryetarit të Kuvendit me c’rast, Talat Xhaferri nga BDI mund të zgjidhet më së herti ndoshta në shtator nëse vijohet me këto obstrukcione.
“Nuk përjashtohen edhe metoda tjera obstruimi nga VMRO për ta komplikuar planin e shumicës së re, përfshirë edhe protestat e përditshme jashtë Kuvendit. VMRO DPMNE është e përkushtuar qe me çdo kusht mos të lejoj zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit e aq më pak të Kryeministrit të ri”, ka thënë Xharra.
Ajo ka thënë se për shqiptarët, kjo do të thotë vonesë në zgjedhjen e Kryetarit shqiptar, vonesë në miratimin e ligjit të gjuhës shqipe si dhe pikave tjera të platformës, por edhe vonesë të mëtejme në formimin e qeverisë së re. “Ky zhvillim thellon krizën dhe shtynë zgjedhjen e qeverise se re duket komplikuar edhe me tepër situatën në Maqedoni e cila tashmë funksionon pa kryetar kuvendi dhe trupa Kuvendor, me Qeveri teknike dhe pushtet lokal me mandat të skaduar”, ka përfunduar Arbana Xharra../Zeri