Berisha: Prokuroria të hetojë dyshen Tahiri-Çipa për vjedhjen e 28 dokumenteve super-sekrete
Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim të publikuar ditën e djeshme në Facebook akuzon drejtëpërdrejtë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreun e Drejtorisë së Krimit të Organizuar Çipa për vjedhjen e disa dokumenteve të klasifikuara si tepër sekrete nga kasaforta e Ministrisë së Brendshme. Ish-kreu i ekzekutivit publikon mesazhin e një komisari duke thënë se janë zhdukur plot 28 dokumenta super sekrete që përmbajnë informacion për krimin, nga kasaforta super sekrete e Policisë së Shtetit. Sipas Berishës në ambjentet e ministrisë të gjithë e dinë se dokumentet i kanë vjedhur Ardian Çipa dhe Sajmir Tahiri, ndërkohë që sipas denoncuesit ministri i sapoemëruar Fatmir Xhafa dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako po tentojnë të fshehin skandalin. Ish-kryeministri i ka bërë thirrje prokurorisë që të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat supersekrete, që janë pëpriluar për ta luftuar fenomenin. Gjithashtu Berisha kërkon vendosjen para ligjit të autorëve të këtij akti të rëndë kriminal, sepse sipas tij nuk ka dyshime për vërtetësinë e informacionit pasi për ta flet dhe ka dijeni gjithë Policia e Shtetit.
Denoncimi i publikuar nga ish-kryeministri Berisha:
“Mirëdita Doktor! Desha të ju informoj se te Drejtoria e Krimit të Organizuar, ku është Ardian Çipa kanë humbur 28 shkresa tejet të rëndësishme me siglën tepër sekret. Për këtë zhdukje të dokumentave top sekret, të cilat ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të drejtorit Çipa kanë një javë dhe kanë pezulluar vetëm nivele të ulëta drejtimi. Të gjithë e dinë se mbrapa kësaj vjedhje qëndrojnë direkt Tahiri dhe Çipa pasi bëhet fjalë për infomacion të klasifikuar tepër sekret. Ju lutem shumë bëjeni publike sepse Xhafa dhe Çako po bëjnë presion të madh për të mbyllur skandalin”.