Shumica parlamentare e Maqedonisë ka akuzuar presidentin e vendit, Gjorge Ivanovin, se po shkel vullnetin e popullit dhe se ai duhet t’i dorëzojë mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaevit, pasi ky i fundit ka programin për qeverinë e re.
“Mendoj se nuk ekzistojnë pengesa, nuk ka as logjikë që mandati të mos i jepet kryetarit Zoran Zaev. Ai këtë duhet ta bëjë sa më parë, pasi pasojat tashmë po i ndjejnë qytetarët e Maqedonisë”, ka thënë Dragan Tevdovski nga LSDM-ja.
Nga ana tjetër, nga BDI bëjnë me dije se Zoran Zaevi ka mbështetjen e kësaj partie për të paraqitur të gjitha argumentet se ne jemi për karakterin unitar të shtetit, e jo për teatër.
Por, vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos e mandatuar për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev, është i pritur për njohësit e çështjeve juridike.
Ata thonë se presidenti edhe kësaj radhe ka dëshmuar se është në shërbim të VMRO-së së Nikolla Gruevskit dhe jo të kushtetutës apo kauzës kombëtare, me kërkesën drejtuar Zaevit për të ofruar dëshmi se koalicioni i ri nuk do ta rrënojë karakterin unitar të shtetit.
Mersim Pollozhani, ekspert juridik dhe ish-zëvendësministër i drejtësisë, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Ivanov më nuk ka as kredibilitetin më të vogël pasi, siç thotë, ka dëshmuar qartë se është në shërbim të plotë të politikave të Gruevskit.
Kujtojmë se të mërkurën, presidenti Ivanov tha se kishte marrë letrën e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili i kërkonte dhënien e mandatit kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, por Ivanov mbetet në qëndrimin se “e ashtuquajtura Platformë e Tiranës dhe asnjë dokument tjetër, akt apo veprim në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht dhe as bazë për formimin dhe punën e Qeverisë së Maqedonisë.”
Ndërkohë, kriza në Maqedoni u përshkallëzua në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismës “Për Maqedoni të bashkuar” pushtuan Kuvendin duke lënduar rëndë shumë deputetë të shumicës parlamentare të cilët paraprakisht zgjodhën Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë. /albeu