Valon Bela i çon letër Katices dhe Fatimes

Valon Bela i ka shkruar letër Katica Janevës dhe Fatime Fetait.

Letër Protestë

Deri te: Prokuroria Speciale Publike Rr: Frenklin Ruzvelt nr.34, 1000 Shkup R. e Maqedonisë

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, Kapitulli mbi liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të shtetasit, neni 9 se ‘Shtetasit e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pasurore dhe shoqërore. Shtetasit janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjit’.

Bazuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si një nga shtyllat kryesore të Kombeve të Bashkuara, deklaron qartazi se gjatë marrjes së vendimit, GJND merr në konsideratë konventat ndërkombëtare, praktikat ndërkombëtare si dhe “parimet e përgjithshme ligjore të kombeve të qytetëruara (civilizuese)”..

Nisur nga fakti se themelimi i Prokurorisë Speciale Publike ka për qëllim hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që burojnë nga përgjimi i paligjshëm..,

Si dhe nisur nga fjalia e urtë, një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar,

Unë, Valon Bela, i lindur në Shkup, me banim në rr: Ronald Regan nr.4, Çair dhe me numër amzë XXXXXXXXXXXXX dorëzoj para jush këtë LETËR PROTESTË mbi pakënaqësinë time rreth mos inicimit të hetimeve mbi rastet e montuara të qytetarëve shqiptarë, shtetas (ose jo) të Republikës së Maqedonisë. Këta raste janë ata të cilat, i keni dëgjuar dhe i kemi dëgjuar në përgjimet e paligjshme por çuditërisht akoma nuk kanë brerë ndërgjegjën tuaj për t’iu qasë seriozisht këtyre rasteve, e të cilat janë shumë të kërkuara si p.sh: rasti i Harun Aliut (Ismail Aqemit dhe Bashkim Bajrami), Sopotit, Monstrës, Lagjës së Trimave, etj.

Duke pasur parasysh se sikur edhe në titullin tuaj (hapjen e hetimeve bazuar në përgjimet e paligjshme) dëgjohen bisedat mbi rastet e sipërpërmendura, ju asnjëherë nuk e keni vlerësuar si të nevojshme dhe të aryeshme nisjen e hetimeve ndaj këtyre rasteve.

Gjithashtu shfrytëzoj rastin që t’iu përkujtoj mbi rastin e shumëpërfolur të akuzimit (dhe më pas edhe të ekzekutimit fizik) të Harun Aliut, Ismail Aqemit dhe Bashkim Bajramit. Si Kryetar i OJQ Realiteti, kam mbajtur dhjetëra pres konferenca, diskutime e tubime mbi akuzimin pa fakte të këtyre personave me qëllim sensibilizimin dhe vetëdisimin e opinionit dhe të institucioneve rreth këtij rasti të montuar. Vlen të përmend se më datën 10 Maj 2010 ishim tubuar 43 Organizata të ndryshme dhe zhvilluam protestën madhështore pikërisht për raste të montuara me moton “Për Drejtësi”. 2 ditë pas asaj proteste masovike u vra barbarisht Harun Aliu në afërsi të fshatit Radushë (bashkë me Xhafer Shala, Shaban Zenuni dhe Qemajl Fejzullahu) i arratisur pasi që e kishin shpallur fajtor atë bashkë me Ismail Aqemin dhe Bashkim Bajramin dhe ishin dënuar me masën ‘burg të përjetshëm’.

Vlen të theksohet se, përgjatë procesit gjykues, Mjekësia Ligjore kishte shfajësuar personat në fjalë pasi që kishte deklaruar: “Plumbat që kanë goditur personin (polic) Zoran Markovski (tashmë të ndjerë) ishin shkrepur nga një pozicion më i lartë se ai”, duke potencuar se personi (polici) Zoran Markovski kishte qenë i ulur në LandRover (veturë zyrtare e MPB-së) kurse personat e akuzuar kishin udhëtuar me Opel Vectra. Siq edhe ju e dini, Mjekësia Ligjore, në të shumtën e rasteve, është determinues mbi përcaktimin e “fajit” të të akuzuarve. Por kjo gjë nuk merret parasysh asokohe siq edhe është bërë praktikë e gjykatave vendore në Maqedoni sa herë që shqiptarët janë në bankën e të akuzuarve.

Më duhet gjithashtu të ju përkujtoj se mospërfshirja e asnjë nga rastet e montuara në punën tuaj gjithasthu kontribuon në thellimin e hendekut të mosbesimit të qytetarëve (në veçanti atyre shqiptarë) ndaj institucioneve, sidomos atyre gjyqësore andaj me të drejtë edhe ju adresohem me këtë letër protestë në mënyrë që të jeni sa më koshientë rreth situatës dhe perceptimeve të ndërtuara për ju si Prokurori Speciale Publike si dhe të mundohemi të gjithë së bashku të kontribuojmë rreth të vërtetës deri sa ajo doemos të triumfojë.

Uroj që kjo letër t’iu inkurajojë drejt vendimit të shumëpritur për hapjen e hetimeve të rasteve në fjalë.

Uroj që përfundimisht të pafajshmit një ditë (sa më shpejt) t’i kthehen familjeve dhe të dashurve të tyre.

Me shpresë se gjërat do të ndryshojnë tani e tutje dhe se besimi dhe shpresa e shqiptarëve ndaj Prokurorisë Speciale Publike nuk do të rrënohen.

Sinqerisht, Valon Bela [email protected] 23.05.2017 Shkup,


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu