Dje raportohet se një kosovar ishte sharë rëndë nga një pronar ose punonjës hoteli në Shqipëri.
Në pjesën më fyese, mbase për të gjithë kosovarët thuhej: “Ju kosovarët jeni racë derri, pak ua ka bërë serbi [duke aluduar në krimet që i bëri regjimi serb i Millosheviqit gjatë të 90-ave].
Pas këtij mesazhi, shpërthyen reagime të shumta në Facebook, ku nuk dënohej vetëm gjuha e përdorur nga punonjësit e hotelit në fjalë, por edhe tendencat raciste të shqiptarëve të Shqipërisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Por, a mund të bëhet një përgjithësim i tillë nga rasti në fjalë?
Turizmi është një ndër resorët më fitimprurës për ekonominë e Shqipërisë. Sidoqoftë, krahasuar me Greqinë apo vendet e tjera ballkanike, ish-vendi komunist ka mbetur prapa në tërheqjen e pushuesve të huaj. Siç raportonte Guardian, në Shqipëri pushojnë vetëm nja 80 mijë njerëz nga Britania e Madhe, ndërsa në Greqi shkojnë mbi 3 milionë.
Megjithatë, Shqipëria ia sheh hairin patriotizmit, varfërisë dhe izolimit të kosovarëve, të cilët për çdo vit ia mësyjnë bregdeteve të këtij vendi për pushime. Mesazhet që pamë, natyrisht nuk janë pasqyrim i mendimeve të shumicës së shqiptarëve të Shqipërisë ndaj kosovarëve, por megjithatë ilustrojnë një sentiment të caktuar që ndodhet brenda një pjese të vogël njerëzish.
Siç mund ta vërejmë edhe nga komunikimi në fjalë, fillimisht çdo gjë është normale, por në momentin që kosovari vendos të pushojë tjetërkund, punonjësit/pronari i hotelit nxjerr paragjykimet e tij raciste. Pra, është më shumë [por jo krejtësisht] një rast individual.
Megjithatë, kosovarët nuk duhet të ndihen të frikësuar nga kjo formë e diskriminimit në Shqipëri. Deri më tash, nga qindra-mijëra pushues kemi pasur vetëm dhjetëra ankesa përgjatë viteve të fundit. Dhe meqë jemi një aset i madh si turistë për Republikën e Shqipërisë, një gjë e tillë nuk pritet të ndërrojë./periskopi