Në prag të shënimit të lindjes së Goce Dellçevit, Shkupi dhe Sofja sigurojnë se duan ta zbusin acarimin e marrëdhënieve, por secila nga palët me pikëpamje të ndryshme rreth asaj se si janë shkaktuar këto zhvillime. Sipas Bullgarisë “situata ka shkuar shumë larg” dhe nuk po merret seriozisht aq sa duhet. Nga ana tjetër, tërheqja e ambasadorit bullgar në vendin tonë, sipas Maqedonisë është hap pa bazë dhe pa argumente. Presidenti, Stevo Pendarovski vlerëson se subjekte të caktuara politike në Bullgari po tentojnë që incidentin lokal në Ohër ta vendosin në kontekst politik dhe ta politizojnë për të fituar pika politike në afat të shkurtër. Sipas tij, bëhet fjalë për një narrativ historik apo interpretim të marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Bullgarisë.
“Bëhet fjalë për një narrativ historik apo interpretim të marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë që daton që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. Kjo ka hyrë në mendjen e shumë gjeneratave dhe politikanëve bullgarë, por ky narrativ ekziston edhe tek ne – përmes një drite dhe prizmi të këtillë t’i shohim marrëdhëniet maqedono-bullgare.”– deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Maqedonia duhet ta mendojë seriozisht politikën dhe qëndrimin e saj ndaj Bullgarisë, konsideron nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski. Sipas tij, tërheqja e ambasadorit nga një vend tjetër nuk është asgjë tjetër përveç fillimi i një lufte të ftohtë.
“Ka një elitë politike agresive, këtu e kam fjalën edhe për pushtetin, edhe për opozitën, të cilët nuk kënaqen me asgjë dhe e sjellin situatën në një luftë të ftohtë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, sepse tërheqja e një ambasadori nga një shtet tjetër nuk është asgjë tjetër veçse fillimi i një lufte të ftohtë kur nuk ka marrëdhënie themelore diplomatike mes të dyja vendeve.”– deklaroi Aleksandar Nikolloski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov thotë se në këtë rast vëren përpjekje për ta rikthyer qëllimisht Maqedoninë nën ndikimin rus dhe shton se mbi këtë skenar po punohet në mënyrë aktive.
“Në asnjë rast nuk duhet të josheni. Gjëja më e mirë për Bullgarinë është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s.”– tha Bojko Borisov, ish-kryeministër i Bullgarisë.
Ndryshe, në seancën e fundit të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme në Bullgari, njëzëri u miratua dokumenti, me të cilin, mes të tjerash, dënohen kategorikisht aktet e dhunës dhe thirrjet për dhunë ndaj bullgarëve në Maqedoni, organizatave dhe klubeve të tyre, e sidomos rrahja e bullgarit Hristijan Pendikov në Ohër. Deklarata e përbërë nga 9 pika do të vendoset për votim në seancë plenare, përcjellin mediat bullgare.







