A po e fundos Barcelonën mungesa e Raphinhas dhe Pedrit?

Barcelona pësoi një humbje të rëndë 4-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ndaj Atletico Madrid në stadiumin Metropolitano, në një përballje ku skuadra katalanase nuk arriti në asnjë moment të rivalizojë seriozisht për një rezultat pozitiv.

Disfata erdhi sërish në mungesë të Pedrit dhe mbi të gjitha të Raphinhas duke theksuar varësinë në rritje të ekipit nga dy prej figurave kyçe të formacionit.

Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick është ndërtuar mbi një sistem kolektiv, ku funksionimi i grupit ka përparësi ndaj individualiteteve.

Megjithatë, sezoni 2025/2026 po dëshmon se mungesa e Pedrit dhe Raphinhas e dëmton ndjeshëm strukturën taktike, deri në pikën që plani i lojës humbet ekuilibrin dhe kohezionin.

Në aspektin e ndërtimit të lojës, mungesa e Pedrit u ndje thellësisht.

Alternativat në dispozicion janë më komode në role më të avancuara dhe hasin vështirësi kur duhet të zbresin për të marrë topin nën presion.

Përballë presionit të koordinuar të mesfushës së Atleticos, lojtarët blaugrana e patën të pamundur të çliroheshin me manovra individuale apo kontroll të orientuar, duke e bërë qarkullimin e topit të parashikueshëm dhe të ngadaltë.

Nga ana tjetër, pavarësisht shifrave mbresëlënëse në sulm, kontributi i Raphinhas shkon përtej golave dhe asistimeve.

Barcelona luan me një vijë të lartë mbrojtëse dhe presioni i menjëhershëm ndaj pasuesit kundërshtar është thelbësor për të shmangur hapësirat në prapavijë.

Në mungesë të brazilianit, ky presion nuk ishte në nivelin e zakonshëm, duke i dhënë kundërshtarit kohë dhe hapësirë për të ndërtuar aksione të rrezikshme, ndërsa mbrojtësit u detyruan të tërhiqeshin në mënyrë të çrregullt.

Raphinha ka fituar një rol udhëheqës në repartin ofensiv, jo vetëm për intensitetin personal, por edhe për aftësinë për të orientuar dhe motivuar bashkëlojtarët në fazën mbrojtëse.

Diferenca në ritëm dhe agresivitet është e dukshme sa herë ai mungon, çka reflektohet edhe në numrin më të lartë të golave të pësuar në ndeshjet ku nuk ka qenë i disponueshëm.

Nga një lojtar i konsideruar dikur i transferueshëm, 29-vjeçari është shndërruar në një element të pazëvendësueshëm në projektin e Flick.

Sezonin e kaluar ai zhvilloi 57 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke grumbulluar mbi 4600 minuta aktivizim, me 34 gola dhe 22 asistime, statistika që konfirmojnë peshën e tij reale në skuadër.

Aktualisht, ndikimi i tij në lojën e Barcelonës konsiderohet në të njëjtin nivel me lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, duke e bërë një nga shtyllat kryesore të projektit sportiv katalanas. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu