Cikloni Kiara që gjatë vikendit ka goditur Evropën Perëndimore, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe stuhi ka marrë shtatë jetë njerëzish duke shkaktuar shumë dëme materiale në disa shtete.
Nga ky ciklon janë goditur edhe disa shtete të rajonit, megjithatë në Kosovë nuk ka vend për panik. Këtë për Reporteri.net e ka konfirmuar meteorologu Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Ai ka thënë se për momentin rajoni ynë është nën ndikimin e fushave ciklonike, por në orët vijuese pritet që kjo situatë barike të stabilizohet dhe dalëngadalë edhe erërat do ta humbin fuqinë e tanishme.
Aliu ka thënë se në rajonin e Dukagjinit, konkretisht në Istog me rrethinë parashihen erëra bukur të fuqishme, ku shpejtësia e erës parashihet diku 22-26m/s, megjithatë nuk do të jenë të qëndrueshme.
“Nuk ka vend për shqetësim. Për momentin jemi nën ndikimin e fushave ciklonike, por në orët vijuese pritet që kjo situatë barike të stabilizohet dhe dalëngadalë edhe erërat do ta humbin fuqinë e tanishme.Në rajonin e Dukagjinit, konkretisht në Istog me rrethinë parashihen erëra bukur të fuqishme, kurse rrafshi i Kosovës ka erëra më të dobëta diku rreth 17-19m/s, ndërsa në Istog me rrethinë shpejtësia e erës parashihet diku 22-26m/s,por nuk do të zgjasin ,do të jenë në intervale të shkurta kohore”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se temperaturat do të jenë mbi vlerat e mesatareve, ndërsa gjatë orëve të natës priten reshje shiu.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar Kosova është përballë me erëra të fuqishme të cilat kanë shkaktuar edhe shumë dëme materiale. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në komunën e Pejës dhe atë të Istogut.










