Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe të shkëputura nga realiteti aktual politik dhe institucional në vend.
Kryetari i kësaj partie dhe kandidatit për kryeministër, Lumir Abdixhiku nëpërmjet një letre drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës.
“LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend. Masat e Bashkimit Evropian po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit. Pushteti lokal në Republikën e Kosovës në komunat veriore tashmë është transferuar dhe është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja. Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit”, thuhet në letrën dërguar Ursula von der Leyen.
Aty theksohet se Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian.










