Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas akuzave të bëra nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje rreth vendimit të PZAP-së që të votohet vetëm në përfaqësi diplomatike.
Abdixhiku ka akuzuar Vetëvendosjen për përpjekje për manipulim të votave para zgjedhjeve të ardhshme.
Abdixhiku ka thënë se partitë e tjera po tentojnë të ndërtojnë një sistem të manipulimit, duke u nisur nga periudha e caktimit të datës së zgjedhjeve.
“Mashtrimi u është bërë mendësi sot. E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thejshtë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka përmendur disa raste të mëparshme ku sipas tij Vetëvendosja ka tentuar të ndryshojë mënyrën e votimit.
“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email… Pastaj provuan të votojnë në depo mallrash, salla dasmash e restorante; pra jashtë ambasadave e konsullatave siç e thotë ligji. Votime në vende ku nuk ka shtet, nuk ka kontroll, nuk ka monitorim. PZAP, natyrisht, siç e thotë ligji, nuk e lejoj”, u shpreh Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja është duke punuar për të lehtësuar votimin e diasporës dhe ka ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.
“Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka pasur votimin. LDK po punon secilën ditë me ta. Regjistrohuni e ejani e votoni masivisht në Kosovë. Ne jemi të qetë!”, ka theksuar Abdixhiku.
Abdixhiku ka theksuar se mashtrimet e propagandat nuk kalojnë më.
“Mashtrimet e propagandat nuk kalojnë më! Jo më ndaj këtij vendi. Jo më në emër të mërgatës. Jo më ndaj demokracisë. Kosova po zgjohet. Mërgata po rikthehet. E paniku i tyre është shenja e parë e humbjes që i pret”, tha ai. /Telegrafi/










