Adnan Azizi, deputeti nga koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj Arben Taravarit dhe deputetit Halil Snopçe, duke i akuzuar për heshtje dhe bashkëpunim me BDI-në në dëm të interesave shqiptare, veçanërisht në Gostivar.
Ai thotë se regjistrimi i vitit 2021 ishte një skenar i mirëmenduar për të ulur përfaqësimin politik dhe fondet për shqiptarët, dhe se pazaret politike po e thellojnë edhe më shumë këtë padrejtësi.
Postimi i plotë:
Masakrimi i Gostivarit dhe pazaret e Taravarit
Taravari dhe miqtë e tij po përballen me një marramendje të hatashme, aq sa e kanë humbur rrugën në oborr!
Derisa Taravari përpiqet të mbuloj tradhëtinë e tij ndaj shqiptarëve duke i zbatuar urdhërat e Ali Ahmetit, harron se tradhëtinë më të madhe shqiptarëve, posaçërisht atyre të Gostivarit ua ka shkaktuar BDI-ja me LSDM-në gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ku me bekimin dhe mbështetjen e Aliut në regjistrimin e fundit, shqiptarët u ndanë në “rezidentë” dhe “jorezidentë”, me çka u ul numri i shqiptarëve me së paku 5%.
Sipas regjistrimit të fundit, Gostivari ka mbi 34 mijë qytetarë jorezidentë, prej të cilëve 92% janë shqiptarë. Si pasojë e kësaj politike antishqiptare të binomit BDI-LSDM, Gostivari ka humbur 8 këshilltarë në Këshillin Komunal. Nga 31 që kishte më parë, tani ka vetëm 23.
Si rezultat i regjistrimit të manipuluar nga miqtë e Taravarit në BDI, Gostivari në vit humb rreth 4 milionë euro nga buxheti shtetëror. Brenda një periudhe katërvjeçare, kjo humbje arrin në 16 milionë euro.
Në nivel republikan, shqiptarët humbin rreth 26 milionë euro në vit, duke arritur në një humbje prej 104 milionë eurosh në katër vite. Kjo humbje padyshim shtohet, nëse e kemi parasysh se ka shumë shqiptarë që nuk janë rregjistruar fare, as si rezident e as si jorezident.
Përkundër kësaj padrejtësie të rëndë, Arben Taravari, në vend që të përballet me ata që ia shkaktuan këtë dëm qytetit, po e vazhdon masakrimin e Gostivarit përmes pazareve politike që po bënë me BDI.
Ndërkohë, deputeti Halil Snopçe, në vend që të merret me gjenezën e problemit, pra me mënyrën se si u deformua regjistrimi dhe si u dëmtua Gostivari përmes marrëveshjes dhe strategjisë së binomit BDI-LSDM, fokusohet vetëm në interpretim teknik dhe pasojat e këtij skenari, konkretisht në uljen e numrit të këshilltarëve, e cila buron nga ai skenar tradhëtie.
Halili, është mirë që të kërkojë llogari nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja se pse i dëmtuan shqiptarët e Gostivarit, ndërsa nga Arbeni të marrë përgjigje pse pikërisht Gostivarin e llogarit oborr dhe pronë të Ali Ahmetit dhe shpreson se ai do ia “falë” në zgjedhjet e ardhshme lokale këtë komunë si karamele, duke mos llogaritur se gostivarasit nuk e falin në asnjë mënyrë tradhëtinë, as atë të ’97-ës e as të 2021-it!
Në vend të kësaj Halili, si zbatues i urdhërave të Aliut dhe Taravarit, përpiqet ta devijojë të vërtetën, vetëm e vetëm për t’i shërbyer interesave të patronëve të tij?
Halil, nuk është arsye avokatura jote se për regjistrimin ka votuar edhe Lëvizja BESA, gjë që u pa edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese se asgjë të keqe nuk ka nga Propozim Ligji për regjistrimin, por problemi ishte tek metodologjia e brendshme e Entit të Statistikave ku udhëheqësit e BDI dhe LSDM në ESHS vendosën të ndajnë qytetarët në “rezident dhe jorezident”.
Ndërsa në praktikë u pa se regjistrimi pa manipulim ishte në favor të rritjes së përqindjes së shqiptarëve nga 25% në 30% ose më shumë aq sa janë realisht. Por hataja ndodhi me komplotin që e bënë BDI-LSDM, ku e ndërprenë regjistrimin e mërgatës, pas çka u shtuan 60 mijë qytetarë maqedonas, i shpallën 200 mijë shqiptarë të regjistruar në mërgatë dhe atë si jorezident, por futën edhe 132 mijë qytetarë pa identitet në numrin e përgjithshëm të të regjistruarve. E gjithë kjo në dëm të shqiptarëve. Mos harrojmë se shumë shqiptarë si në vend (ku regjistruesit nuk u shkonin në shtëpi) por edhe në mërgatë (ku u çkyçej sistemi) nuk u regjistruan fare. Prandaj sot ka komuna të shqiptarëve ku më shumë ka votues se qytetarë të regjistruar!
Edhe më tragjikja ishte se pas kësaj masakre statistike të shqiptarëve, menjëherë doli në publik Ali Ahmeti dhe zv/drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave për të deklaruar se regjistrimi është më i miri i të gjitha kohërave, me ekspert vendor dhe ndërkombëtar! Po, ai e çertifikoi mashtrimin dhe tradhëtinë edhe me vello ekspertësh ndërkombëtar!
I nderuar Halil, nëse ke guxim dhe nuk ke frikë, fole të vërtetën. Mos fol gënjeshtra vetëm për të mbrojtur Ali Ahmetin!