Vazhdës së reagimeve ndaj një deklarate të deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj i është bashkuar edhe publicisti Adriatik Kelmendi.
Por ky i fundit ka një kundërpërgjigje ndaj të gjithë atyre që shprehen kundërshti ndaj deklaratës së deputetit Haradinaj, i cili paralajmëroi se nuk do të ketë qetësi nëse ndodh ekstradimi i vëllait të tij dhe njëherit liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Serbi.
Kelmendi, thotë se po të mos ishin liderët e Serbisë, Aleksander Vuçiq, Ivica Daçiq e Tomislav Nikoliq, kreu i AAK-së Haradinaj nuk do të ishte burgosur dy herë në Hag dhe s’do të ishte ndaluar në Francë, aty ku po mbahet nën masen e lirisë me kusht që nga fillimi i muajit janar të këtij viti, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 përmes Interpolit, raporton GazetaBlic
“Po të mos ishin Vuçiqi, Daçiqi e Nikoliqi, sot vëllai tjetër i Dautit, Ramushi, do të mund të vazhdonte të jetonte në Zvicër, të mos kishte nevojë të rrokte armët, të plagosej, të burgosej dy herë nga Haga, të arrestohej nëpër aeroporte”, ka thënë publicisti Kelmendi në një shkrim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Po ashtu, ky publicist ka thënë se po të mos kishin qenë po këta liderë serbë, deputeti Haradinaj sot do t’i kishte gjallë edhe dy vëllezërit, Luanin dhe Shkelzenin, të cilët u vranë në luftën e fundit në Kosovës nga ushtarët serbë.