“Ajo e donte edhe kur ai ishte gabim”, drama që shkatërroi familjen shqiptare brenda një nate

Një familje shqiptare e përshkruar nga të afërmit si e qetë dhe e dashur u shkatërrua brenda pak orësh nga një shpërthim dhune.

“E ëma e donte pa masë dhe, edhe kur ai gabonte, e mbronte gjithmonë”, rrëfen i ati i 20-vjeçarit Riccardo Mërkuri i cili u gjet i pajetë të dielën në port në Civitanova Marche, Itali.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, i riu i dha fund jetës pasi kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, e cila aktualisht ndodhet e shtruar në spital. Familjarët besojnë se ishte pikërisht mendimi se i kishte shkaktuar vdekjen asaj që e shtyu drejt aktit ekstrem. Ai ishte i bindur se e kishte vrarë, ndërkohë që gruaja në të vërtetë kishte humbur ndjenjat dhe më pas u transportua me urgjencë në spital, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një frakture në nofull.

Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e ditëlindjes së të riut. Familja kishte darkuar së bashku në banesën e tyre në Pollenza, në provincën e Macerata. Asgjë nuk paralajmëronte tragjedinë. Pas largimit të babait nga shtëpia, mes nënës dhe djalit shpërtheu një debat që degjeneroi në dhunë fizike.

Alarmi u dha rreth orës 22:00 nga i ati, i cili, sapo u kthye në banesë, gjeti bashkëshorten të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak. I riu ishte larguar. Ai kishte marrë makinën dhe ishte nisur drejt Civitanovës, rreth 30 kilometra më tej, ku u hodh në det. Kamerat e sigurisë tregojnë se ishte futur në ujë dy herë, duke dëshmuar vendosmërinë për t’i dhënë fund jetës.

“Ka pasur debate edhe më parë, por asgjë që të na bënte të mendonim se mund të përfundonte kështu”, tha i ati. Sipas tij, kohët e fundit djali po përballej me vështirësi personale, të lidhura me një histori sentimentale.

“I propozova të shkonim te një psikolog dhe ai më tha se ishte gati ta bënte”, shtoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu