Aktori Dritëro Ame së bashku me një grup prindërish, u kanë dërguar letër publike autoriteteve të Dibrës, duke kërkuar që të shenjëzohen vendet e sigurta për fëmijët dhe të vendosen vëzhgues në plazhin e Dibrës, transmeton TV21. Nga mungesa e shenjëzimit, siç potencon aktori Dritëro Ame, krijohet pasiguri dhe rrezik real për fëmijët që çdo ditë shijojnë pushimet në plazhin e Dibrës.
Shkrimi i plotë i aktorit Dritëro Ame në rrjetin social Facebook:
“Në emër të qytetarëve të Dibrës, si dhe si zë i shqetësimit të shumë prindërve që çdo ditë frekuentojnë plazhin e qytetit së bashku me fëmijët e tyre, po ju drejtohem për të ngritur një çështje tepër të rëndësishme që lidhet me sigurinë në zonat ujore dhe mungesën e vëzhguesve në plazh.
Gjatë viteve të kaluara, ka pasur praninë e vëzhguesve të trajnuar nga Kryqi i Kuq, të cilët kujdeseshin për rendin dhe sigurinë e fëmijëve në ujë, si dhe për mbikëqyrjen e zonave të larjes. Ishte e dukshme një përkujdesje më e lartë dhe ndjenja e sigurisë për prindërit.
Fatkeqësisht, këtë sezon veror nuk janë të shënuara zonat e sigurta për larje për fëmijët. Kjo mungesë krijon pasiguri dhe rrezik real për fëmijët që çdo ditë shijojnë pushimet në ujë.
Na lind detyrimi moral l të ngremë këtë shqetësim, para se të ndodhë ndonjë tragjedi e pariparueshme. Kujdesi për fëmijët nuk është opsional, por domosdoshmëri. U bëjmë thirrje që të:
Vendosen sinjalistika të dukshme për zonat e sigurta të larjes për fëmijë, në mënyrë që të evitohet hyrja e tyre në pjesë të rrezikshme të liqenit.
Bashkëpunoni me institucionet për ngritjen e fushatave ndërgjegjësuese për sigurinë ujore.
Institucionet kanë përgjegjësinë që të tregojnë kujdes, seriozitet dhe angazhim për jetën e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve. Është më mirë të parandalojmë sesa të qajmë!
Duke shpresuar në reagimin tuaj të menjëhershëm”, shkruan aktori Ame.