Edhe zyrtarisht, këshilltari nga radhët e koalicionit VLEN, Albi Qamili do të jetë zëvendëskryetar i komunës së Tetovës.
Kjo është bërë e ditur gjatë një pres konference me gazetarë në Komunën e Tetovës.
Me këtë rast, kryetari i komunës Bilall Kasami deklaroi se këtë vendim e ka marrë në bazë të Ligjit për komunat, si dhe Statutit të Komunës së Tetovës, që i lejon kryetarit, emërimin e një zëvendësi në rast të mungesës së tij.
Ai më tej shtoi se Qamili si zëvendëskryetar, në momentet kur do të ushtroj postin e kryetarit, do ti vihet në pauzim mandati i tij si këshilltar në këshillin komunal, ndërsa për këtë, duhet ta njoftoj kreun e këshillit.
“Mbështet edhe në Ligjin për vetëqeverisje lokale edhe në statutin e komunës së Tetovës, parashihet që në mungesë të kryetarit deri në gjashtë muaj, kryetari autorizon një nga këshilltarët që ta zëvendësoj, me çka në momentin kur do e zëvendësoj kryetarin i pushon mandati i këshilltarit. Në situata kur do duhet të më zavendësoj, do duhet ta informojmë kryetarin e këshillit që në atë periudhë që më zëvendëson, nëse do ketë mbledhje këshilli, nuk do të mund ta ushtroj detyrën si këshilltar komunal”, deklaroi kryetari Bilall Kasami.
Tashmë, zëvendëskryetari Komunës së Tetovës Albi Qamili, në prononcimin e tij para gazetarëve theksoi se këtë detyrë dhe besim që i jepet, do ta ushtroj me përgjegjësi ndaj komunës dhe gjithë qytetarëve.
“Po e marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi dhe mirënjohje. Vërtetë është kënaqësi të jesh i dyti aty ku Kasami është i pari. Të dashur qytetarë, unë këtë detyrë do ta kryej me përgjegjësi dhe duke p[asur në mendje besimin tuaj pritshmëritë dhe prioritetet tuaja, si dhe platformën tonë fituese dhe për kapitullin e dytë për zhvillimin e Tetovës. Kam kënaqësi të kem rastin të kontribuoj për një Tetovë edhe më të mirë, më të zhvilluar më të pastër dhe funksionale, edhe si klëshilltar, por tani edhe si zëvendëskryetar i komunës”, tha Qamili.










