Albi Qamili: Zhvatësi i Komunës Bajram Rexhepi nuk ia do të mirën Tetovës

Kryesuesi i listës së VLEN-it të kandidatëve për këshilltarë në Tetovë, Albi Qamili, ka akuzuar kandidatin e BDI-së për kryetar komune, Bajram Rexhepin, për zhvatjen e komunës së Tetovës me kamatë dhe me përmbarues.

Ai tha se një njeri i tillë nuk ia do të mirën Tetovës.

“Nuk mund ta dojë të mirën e Tetovës dikush që e çon atë në përmbarues për interesa personale. Një person i tillë, ironikisht, sot kërkon që ta menaxhojë komunën të cilën e paditi, e çoi në përmbarues dhe e zhvati me kamatë”, deklaroi Qamili.

Ai përkujtoi se ndërsa paratë e veta i merr nga buxheti i qytetarëve me përmbarues dhe me kamatë, Bajram Rexhepi votonte për uljen e pagave për administratën e komunës gjatë mandatit kur ishte këshilltar.

“Këta njerëz nuk ngopen. I njëjti njeri që padiste dhe zhvate komunën që e la borxh deri në fyt, sot kërkon mundësi të tjera të kthehet në krye të saj. Çfarë do të bëjë paditësi dhe zhvatesi i komunës së Tetovës nëse vjen në krye të saj? A do t’i ulë pagat e administratorëve për 30% siç bëri gjatë viteve 2013–2017 si këshilltar, gjersa paratë e tij i kërkon me kamatë dhe me përmbarues?”, tha Qamili.

Bartësi i listës së VLEN-it për Tetovën tha se Tetovës i duhet një njeri punëtor, i ndershëm, që interesin e qytetarëve e vendos mbi interesin personal. Nga dy kandidatët në garë, sipas tij, këto veti i ka vetëm Bilall Kasami.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu