Njohësi i rrethanave në Ballkan, Daniel Serwer, thotë se amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për çështjen e Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, është treguar se asnjëra palë nuk mund ta zgjidhin problemin. Derisa shtoi se ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA, Madeleine Albright do të përfshihet në këtë çështje, sepse “ajo e njeh terrenin dhe flet serbisht”.
Javën e kaluar, në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan në Uashington u mbajt një sesion, në të cilën u diskutua edhe për Kosovën dhe Serbinë. Ky sesion tërhoqi vëmendjen e publikut, ndër të tjera, edhe për faktin se në të mori pjesë edhe Madeleine Albright, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit. Pjesëmarrësit, përfshirë edhe Daniel Serwer nga Universiteti “Johns Hopkins”, thanë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe se Kosova duhet të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.
Në një intervistë për “N1”, Serwer ka thënë se e ka të qartë se për shkak të qëndrimeve të tij nuk është i mirëpritur në Beograd dhe shton se kjo është për shkak se qeveria serbe është kthyer kah Moska dhe Pekini.
“Unë mendoj se amerikanët dhe evropianët duhet të punojnë së bashku për çështjen e Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra palë nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Grennell dëshmoi se nuk mund ta bëjë vetëm, po ashtu edhe evropianët. Por nëse ata punojnë së bashku dhe kanë një vizion të përbashkët, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi, mendoj se do të funksionojë. Ky është hapi i parë, që amerikanët dhe evropianët duhet të flasin me njëri-tjetrin, edhe para se të flasin me boshnjakët dhe kosovarët dhe serbët. Kjo është e gjitha”, tha Serwer.
Serwer thotë se BE duhet të jetë “nikoqiri i dialogut”, derisa shton se ajo që Amerikanët mund të sjellin në tavolinë është një mbështetje e madhe për Evropianët
“Unë mendoj se kam thënë disa gjëra të reja në lidhje me Kosovën dhe Serbinë në Uashington, do t’i theksoja ato. Mendoj se amerikanët duhet të kenë një rol mbështetës kur bëhet fjalë për dialogun. Mendoj se BE është ndërmjetës në dialog dhe duhet të jetë nikoqir i dialogut. Ajo ka ndikimin më të madh tek ato personazhe. Ajo që Amerikanët mund të sjellin në tavolinë është një mbështetje e madhe për Evropianët, si dhe për dy gjëra: zbatimi i çdo gjëje për të cilën u ra dakord, por që nuk ishte e mirë në të kaluarën, dhe këmbëngulja për reciprocitet”, thotë Serwer.
Duke folur për mundësin e përfshirjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në dialogun Kosovë-Serbi, Serwer tha se nuk është me rëndësi se çfarë mendojnë serbët, ajo do të përfshihet.
“Nuk është me rëndësi se çfarë mendojnë serbët, nëse Madeleine Albright duhet të përfshihet, ose jo. Ajo do të përfshihet. Ajo është një ish sekretare e shtetit. Rryma është e rëndësishme, jo aq në Partinë Demokratike, por në botën demokratike, pjesën e botës demokratike që mendon për politikën e jashtme. Ajo është kryesuese e këshillit të Institutit Kombëtar Demokratik. Ajo do të përfshihet. Dhe ajo është gjithashtu dikush që jetoi në Serbi, ajo flet Serbisht. Unë mendoj se kjo duhet vlerësuar”, tha Server, duke komentuar praninë e ish-Sekretares së shtetit në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington .
Ndër të tjera, Serwer thotë se kupton se shumë serbë nuk do ta vlerësojnë atë.
“Për shkak se ajo mbrojti përfshirjen e NATO-s në luftë pas dështimit të bisedimeve të Rambujesë. Dhe unë e kuptoj në mënyrë të përsosur qasjen e tyre ndaj meje edhe pse unë e kundërshtova bombardimet. Megjithatë, kjo nuk ka rëndësi, ajo do të ketë ndikim, ka gjëra interesante për të thënë. Ajo këtë e ka dëshmuar edhe në diskutimin në Dhomën e Përfaqësuesve. Sinqerisht, askush prej nesh – Janusz [Buganjski], Madeleine Albright, askush prej nesh nuk është i mirëpritur në Beograd për shkak të asaj që kemi thënë. Beogradi është kthyer drejt Rusisë, drejt drejtimit ultranacionalist”, tha Serwer.