Ambasadorët e BE shtyjnë datën për negociatat, Merkel “lë në pritje” Shqipërinë

Nuk do të ketë një vendim për nisjen zyrtare të procesit të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian brenda vitit 2020. Në mbledhjen e këshillit të ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian u vendos që ndryshe nga mënyra se si është vepruar më herët, këtë vit nuk do të ketë një vendimmarrje në muajin dhjetor. Vendimi për të nisur këtë proces që i paraprin hapjes me radhë të kapitujve negociues është shtyrë për në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian nuk pritet që të ketë një vendim pozitiv as për kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse për fqinjët tanë lindorë pengesë është bërë vetoja e Bullgarisë, për Shqipërinë kërkohet me çdo kusht plotësimi i dy kushteve: vënia në funksion e Gjykatës Kushtetuese dhe paketa antishpifje.

Këshilli pret me padurim mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe – nëse plotësohen kushtet e vëna në përfundimet e Këshillit të marsit 2020 – me Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit negociues nga Këshilli”, thuhet mes të tjerash në draftraport. Duke njohur përparimin e bërë në disa pika të Reformës në Drejtësi draftraporti shtron nevojën për dialog politik, i cili konsiderohet një faktor tejet i rëndësishëm. “Këshilli nënvizon se dialogu politik në vend ka nevojë të forcohet më tej, veçanërisht në Reformën Zgjedhore dhe zbatimin e saj. Transparenca e financimit të partive politike gjithashtu duhet të sigurohet”, thuhet në draft. Këshilli mirëpret përparimin e mirë të Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë këtu zbatimin e Reformës gjithëpërfshirëse të Drejtësisë, e cila ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, dhe në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, ku u finalizua krijimi i strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruhet ndër të tjera në draft-raport.

Gjermania

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtarë dhe kandidate të BE-së është shprehur skeptike për çeljen e negociatave me Shqipërinë qysh këtë vit, shkroi “Deutsche Welle”. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut qysh këtë vit. Ajo tha se shpreson që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do ta mënjanojnë grindjen e tyre. “Në rastin e Shqipërisë, çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha Kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së. “Sa i përket Serbisë, ajo duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën”, tha Kancelarja. Ajo ritheksoi edhe njëherë me këtë rast se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Krahas parlamentarëve të vendeve anëtarë në konferencë virtuale, një lloj bilanci i punës së Gjermanisë si kryetare e radhës së BEsë, e morën fjalën edhe parlamentarë nga vendet kandidate.

Në emër të Shqipërisë ishte deputetja Rudina Hajdari, e cila në pyetjen e saj se kur do të miratohet korniza negociuese, e falënderoi Kancelaren dhe BE-në për programin e Komisionit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për ndihmën në kohën e pandemisë. Më 7 dhjetor ministrat e jashtëm dhe të Europës së BE-së do të vendosin për çeljen zyrtare të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi përkatës është marrë në mars të këtij viti. Për shkak të grindjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për përkatësinë historike të maqedonasve, Bullgaria ka paralajmëruar se do të vërë veton për hapjen e Konferencë së Parë Ndërqeveritare. Ajo që shpresohet për momentin është, sipas vëzhguesve, që së paku Bullgaria të mos pengojë miratimin e kornizës negociuese. Në rastin e Shqipërisë nuk pritet as miratimi i kornizës negociuese, pasi vendi nuk i ka plotësuar parakushtet e vëna nga BE-ja dhe Bundestagu gjerman.

15 Kushtet

Vjeshtën e shkuar, kur Shqipëria shkoi për herë të 4-ërt radhazi për të kërkuar hapjen e procesit në negociatave, nga Brukseli zyrtar u vendos që drita jeshile të hapet menjëherë pasi vendi të ketë përmbushur disa kushte. Ishin 15 kushte, që fillimisht u vendosën nga Bundestagu gjerman dhe që më pas u votuan edhe në Bashkimi Europian, si rruga përmes së cilës do duhet të kalojë integrimi i Shqipërisë deri në hapjen e kapitujve negociues për anëtarësim me të drejta të plota në Union.

Nga lista e gjatë e kushteve që i janë vendosur Shqipërisë, 3 prej tyre duhet të përmbushën përpara uljes në tryezën e parë të negociatave. Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese, miratimi i Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ ODIHR dhe paketa antishpifje ishin tri pikat për të cilat vendet e Bashkimit Europian kanë kërkuar rezultate konkrete brenda këtij viti. Nga këto tri pika që Brukseli i ka kërkuar brenda këtij viti, Shqipëria deri më tani ka plotësuar pjesërisht vetëm një, pasi edhe për Reformën Zgjedhore ka pasur kundërshti, për shkak të ndryshimeve që u bënë veçmas nga maxhoranca në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë, për Gjykatën Kushtetuese, me gjithë presionin ndërkombëtar, ende nuk ka garanci se do të bëhet me të paktën 6 anëtarë brenda këtij viti. Me pikëpyetje është edhe diskutimi për çështjen e paketës antishpifje, e cila pas opinionit të Komisionit të Venecias ka mbetur në pozicion “Stand by”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu