Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë dialogun, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e cila sipas tij është vonuar shumë, shkruan Gazeta Metro.
Këto deklarata ai i bëri në pritjen që e ka organizuar për liderët e vendit, me rastin e Festës Kombëtare të Francës.
Chabert ka pasur disa kërkesa ndaj Kosovës, e një prej tyre ka qenë edhe arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, për të cilën thotë se janë vonuar shumë.
“Kosova meriton si një vend i pavarur për të gjetur vendin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare, por për këtë duhet që Kosova të arrijë normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë, sepse status quo-ja është e paqëndrueshme. Është thelbësore që dialogu të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nënshkrimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, do të zgjidhte çështjet e mbetura në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të kontriubojë në stabilitetin rajonal. Për këtë arsye në Samitin e Berlinit, Franca dhe Gjermania kanë treguar gatishmërinë e tyre për të lehtësuar rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por vazhdimi i këtij lehtësimi kërkon vullnet të vërtetë nga të dyja palët për t’u angazhuar shpejt në negociata serioze me dëshirën e përbashkët për të arritur një marrëveshje përfundimtare”, tha ambasadori Chabert.
Veç kësaj, diplomati francez ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se bashkëndjen me gjithë frustrimin e tyre për vonesat që po ndodhin./gazetametro