Ambasadori i ri i Izraelit në Beograd, Yahel Vilan, ka thënë se Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 4 shtator dhe se puna e njohjes reciproke më nuk është çështje diskutimi.
Vilan ka thënë se tashmë Izraelit i mbetet të shohë se si një veprim i tillë të mos ndikojë në raportet në mes të Izraelit dhe Serbisë.
“Nuk është më në pyetje nëse Izraeli do ta njohë ose jo Kosovën, sepse Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator, dhe tashmë na mbetet të mos lejojmë që një veprim i tillë të ndikojë në raportet në mes të Serbisë dhe Izraelit”, ka thënë Vilan.
Tutje Vilan ka thënë se Izraeli s’ka nënshkruar asgjë në Izrael dhe që s’ka qenë pjesë e Samitit në Washington, derisa shton se njohjen reciproke e ka mirëpritur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ambasadori izraelit ka treguar se Vuçiqit nuk i ka pëlqyer vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se nuk mbështet një vendim të tillë të Izraelit.
Megjithatë, Vilan thotë se Izraeli është shtet i pavarur dhe se vendimi për njohjen e Kosovës është vendim shtetëror.
“Por Izraeli është shtet sovran dhe ai është vendim i yni. Marrëveshja është nënshkruar, nuk është diçka që mund ta ndryshojë unë apo Vuçiqi. Duhet të punojmë në avancimin e raporteve dhe të pajtohemi gjithashtu me atë që ka ndodhur para dy javëve”, ka thënë Vilan.
Njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Izraelit ka ardhur si rezultat i takimit të 4 shtatorit të organizuar në Shtëpinë e Bardhë nga administrata e Donald Trump.










