Brazili i Carlo Ancelottit ka siguruar tashmë kualifikimin për Kupën e Botës 2026 dhe trajneri italian po përdor ndeshjet e fundit të eliminatoreve për të testuar alternativa të reja taktike.
“Mbreti Carlo”, siç e quajnë në Brazil, ka lënë të kuptohet se nuk do të bëjë kompromis kur të vijë momenti i listës përfundimtare të turneut.
Në një intervistë për L’Equipe, Ancelotti foli hapur për çështjen Neymar Jr., i cili pas aventurës në Evropë dhe në Arabinë Saudite është rikthyer te Santos.
Sulmuesi 33-vjeçar ende shpreson të jetë pjesë e Selecaos në Botërorin e ardhshëm, por trajneri i dërgoi një mesazh të qartë.
“Do ta marrë Neymarin në Kupën e Botës vetëm nëse do të jetë në 100 përqind të formës”, tha Ancelotti.
Kjo deklaratë është interpretuar si një paralajmërim serioz për yllin brazilian, i cili së fundmi nuk po kalon momentet më të mira. Në barazimin e djeshëm të Santos ndaj Atletico Mineiros, Neymar zhgënjeu me paraqitjen e tij, duke humbur dy raste të pastra për gol dhe duke u renditur mes më të dobëtëve në fushë.
Situata ngre pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e tij në kombëtare. Me një brez të ri lojtarësh brazilianë që po ngrihen fuqishëm, si Rodrygo, Endrick dhe Vinicius Jr., Ancelotti e ka bërë të qartë se reputacioni i kaluar nuk mjafton më: në listën e Brazilit për Kupën e Botës vendosin vetëm performanca dhe gjendja fizike. /Telegrafi/