Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, pranon se ka pasur dështime në politikën e saj ndaj Rusisë. “Duhet të kishim reaguar më shpejt ndaj agresivitetit të Rusisë”, thotë Merkel në një intervistë për numrin e fundit të së përjavshmes “Die Zeit” që do të dalë nesër, transmeton InfoShqip.
Komentet e Merkelit i referohen pushtimit nga Rusia të gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, kur vendet e NATO-s ranë dakord të shpenzonin dy për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtjen.
“Gjermania ka rritur shpenzimet e saj për NATO-n, por ende nuk e ka arritur objektivin prej dy për qind”, tha Merkel.
Megjithatë, ajo nuk i vjen keq për mbështetjen e saj për ndërtimin e gazsjellësit gjermano-rus Nord Stream 2.
“Ndalimi i projektit do të kishte përkeqësuar rrezikshëm marrëdhëniet me Rusinë,” thotë Merkel. Për më tepër, sipas saj, varësia e Gjermanisë nga gazi rus nuk është vetëm rezultat i projektit të përbashkët të gazsjellësit. Kjo rrjedh edhe nga fakti se gazi i ofruar nga Norvegjia, Britania e Madhe dhe Holanda nuk i plotëson nevojat gjermane, raporton DPA.