Intelektuali dhe veprimtari i njohur dibran në diasporë, Xheladin (Dini) Pjeça, ka bërë një apel të fuqishëm për qytetarët e Dibrës që në raundin e dytë të zgjedhjeve të votojnë për ndryshimin e shumëpritur, duke mbështetur kandidatin Fisnik Mela, transmeton InfoShqip.
Pjeça, i cili jeton prej dekadash në mërgim dhe ka mbi 60 vite përvojë në politikë e angazhim kombëtar, njihet si një prej figurave më të respektuara të komunitetit dibran në diasporë. Në mesazhin e tij, ai shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen aktuale në komunën e Dibrës dhe bën thirrje për një kthesë të vërtetë në drejtimin lokal.
“Dibra sot është një komunë pa kompetenca, me korrupsion të legalizuar, me plan urbanistik të masakruar, ndërtime pa standarde minimale dhe mungesë të investimeve kapitale – përjashto gjimnazin e ndërtuar me fonde bamirëse nga Turqia. Kultura, në krahasim me të kaluarën, është në gjendje të mjerueshme; shëndetësia, arsimi, gjelbërimi dhe pastërtia janë në gjendje katastrofale. Për 20 vitet e fundit, me ndarjen e komunës së Zhupës dhe mungesën e zhvillimit të qëndrueshëm, Dibra e Madhe ka humbur peshën e dikurshme administrative, kulturore e shoqërore, duke u kthyer, siç shprehet ai, në një vend pa perspektivë. Ku ka qenë Dibra në të kaluarën dhe ku është sot! Pa perspektivë. Por dibranëve u jepet përsëri mundësia që në raundin e dytë të votojnë për ndryshimin e shumëpritur.”
Ai kujton edhe zgjedhjet e kaluara, ku sipas tij “fitorja e pastër e Aleancës u rrëmbye në tavolinë”, dhe tani është koha që dibranët të tregojnë unitet dhe përgjegjësi qytetare për të sjellë ndryshimin.
“Balotazhi i 2 nëntorit për dibranët duhet të jetë një festë. Jam 84 vjeçar dhe më shumë se 60 vjet kam qenë i përfshirë në politikë, duke u përpjekur që Dibra ta ketë vendin e merituar në të drejtat e shqiptarisë dhe etnive të tjera në barazi. Me fitoren e Fisnik Melës, fiton Dibra dhe dibranët, pa dallim feje apo etnie. Fisniku, për realizimin e premtimeve dhe projekteve, gëzon edhe përkrahjen e pakontestueshme të pushtetit republikan. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Ju përshëndes me respekt dhe ju bëj thirrje: VOTO 7 – VOTO NDRYSHIMIN, VOTO FISNIK MELËN.”, ka shkruar ai.










