Arben Fetai reagon pas thirrjeve ksenofobe ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2027.

“Dënoj fuqimisht thirrjet ksenofobe dhe gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve që u dëgjuan mbrëmë gjatë ndeshjes. Kjo sjellje është një tradhti e turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të mishërojë,” – u shpreh Fetai.

Ai theksoi se ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht nga kush vijnë, nuk kanë vend as në stadiume, as në shoqëri dhe as në një të ardhme të përbashkët.

“U bëj thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa të vendosura për të çrrënjosur këtë fenomen. Heshtja dhe mosreagimi vetëm sa e nxisin urrejtjen,” – tha ai.

Në fund, Fetai theksoi se sporti duhet të jetë vend bashkimi dhe jo ndarje:

“Si shtet, duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në çdo aspekt të jetës. Le të ndërtojmë një Maqedoni të Veriut ku përçarja nuk është opsion, ku diversiteti është forca dhe uniteti është krenaria jonë.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu