Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, nisur nga kreu i institucionit, kanë theksuar disa herë se nuk do të ketë një sakrificë shumë të lartë financiare për trajnerin e ri.
Nga sa është bërë me dije nga zyrtarët e lartë të institucionit drejtues të futbollit, paga e trajnerit të ri nuk pritet që të ketë shumë ndryshime nga ajo që kishte Xhani De Biazi në dyvjeçarin e fundit.
E përllogaritur në shifra, rreth 500 mijë euro në vit është fondi për pagën e teknikut të ri. Ky kriter ishte një nga pengesat kryesore për të mos avancuar bisedimet mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Filipo Inzagit.
Strategjia e FSHF-së do të jetë e tillë që të mos shpenzohet pafundësisht për pagesën e trajnerit të ri dhe se nuk do të jenë të gatshëm që të nënshkruajnë kontrata stratosferike për kushtet e Shqipërisë.
Kamoleze projektohet si drejtor sportiv
Ndërkohë që për postin e trajnerit të ri të Kombëtares ka disa kandidatura kryesore, për atë të drejtorit sportiv ka mbetur vetëm një. Burime të sigurta për “Panorama Sport” kanë bërë me dije se Xhankarlo Kamoleze është kandidatura e vetme bindëse, e cila për momentin duket shumë pranë arritjes së akordit final.
Ish-trajneri i Torinos dhe disa skuadrave në kategori të ndryshme të futbollit italian, duket se ka bindur drejtuesit e institucionit të futbollit në vendin tonë.
Ai është në pritje të detajeve të fundit, të cilat më pas ta bënin atë që të merrte postin që do të ketë nën kontroll të gjitha skuadrat kombëtare të Shqipërisë. Pak kohë më parë, këtë post e mori ish-ndihmësi i De Biazit, Paolo Tramexani, i cili ndërtoi një strategji pune me të rinjtë dhe me të gjitha kombëtaret, që të kishin të njëjtën metodikë dhe strategji pune me Kombëtaren A.








